Kodi i Procedurës Penale ka të parashikuar qartë detyrimin e organit të Prokurorisë për të trajtuar kallëzimet që i referohen nga nëpunësit publikë (përfshirë institucionet), personeli mjekësor dhe çdo qytetar që është në dijeni të fakteve të dyshuara si vepra penale.
Dispozitat përkatëse parashikojnë mënyrën se si kallëzuesit i drejtohen Prokurorisë. Duke u respektuar me korrektësi formatin standart të kallëzimit, së bashku japim kontribut në shpejtësinë dhe forcimin e ndjekjes penale në Shqipëri.
Kallëzimet penale i drejtohen Prokurorisë së rrethit ku ka ndodhur ose është tentuar të ndodhë vepra penale ose vendi ku ka ardhur pasoja. Nëse kjo nuk mund të përcaktohet, atëherë kallëzimi i drejtohet prokurorisë ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin i dyshuari për kryerjen ose tentativën e veprës penale.


1 . Kallëzimi nga nëpunësit publikë

2 . Kallëzimi nga personeli mjekësor

3 . Kallëzimi nga ana e shtetasve

4 . Ankim i të dëmtuarit nga vepra penale

 
Kodi i Procedurës Penale
Kallëzimi nga nëpunësit publikë (Neni 281)

1. Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.
2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore.
3. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori.
4. Kallëzimi përmban elementet thelbësore të faktit, burimet e provës, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit të cilit i atribuohet fakti, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit.

Kallëzimi nga personeli mjekësor (Neni 282)

1. Personeli mjekësor që është i detyruar ligjërisht të bëjë kallëzim duhet ta paraqesë atë brenda dyzet e tetë orëve dhe t’ia dërgojë prokurorit ose çdo oficeri të policisë gjyqësore të vendit ku ka kryer ndërhyrjen ose ka dhënë ndihmën dhe kur ka rrezik nga vonesa, oficerit të policisë gjyqësore më të afërt.
2. Kallëzimi nga personeli mjekësor tregon personin të cilit i është dhënë ndihma dhe, kur është e mundur, gjeneralitetet, banimin e tij dhe çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar, si dhe rrethanat e faktit, mjetet me të cilat është kryer dhe pasojat që ka shkaktuar.
3. Kur disa persona kanë dhënë ndihmën e tyre mjekësore për të njëjtin rast, të gjithë janë të detyruar të bëjnë kallëzim, me të drejtë që të përpilojnë dhe të nënshkruajnë një akt të vetëm.

Kallëzimi nga ana e shtetasve (Neni 283)

1. Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.
2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.
3. Kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga neni 195.

Ankimi (Neni 284)

1. Për veprat penale të parashikuara nga nenet 89, 102 paragrafi i parë, 105, 106, 130, 239, 240, 241, 243, 264, 275 dhe 318 të Kodit Penal, ndjekja penale mund të fillojë vetëm me ankimin e të dëmtuarit, i cili mund ta tërheqë atë në çdo fazë të procedimit.
2. Ankimi bëhet nga i dëmtuari te prokurori ose në policinë gjyqësore me anën e një deklarate, në të cilën personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të posaçëm, shfaqet vullneti që të procedohet në lidhje me një fakt të parashikuar nga ligji si vepër penale.
3. Kur ankimi bëhet me gojë procesverbali që mbahet për këtë qëllim nënshkruhet nga ankuesi ose përfaqësuesi i tij.
4. Ai që merr ankimin sigurohet për identitetin e ankuesit dhe i dërgon aktet prokurorit.
5. Për rastet e parashikuara nga neni 59, ankimi bëhet në gjykatë nga i dëmtuari akuzues.


Drejtohuni sipas vendodhjes suaj në prokurorinë përkatëse

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.