Bashkëpunim ndërinstitucional mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme

Tiranë, 15 dhjetor 2020. Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit z. Arben Kraja zyrtarizojnë koordinimin institucional përmes nënshkrimit të aktit “Për rritjen e eficencës dhe unifikimin e disa veprimtarive administrative dhe funksionale ndërinstitucionale duke respektuar veçoritë dhe kompetencat institucionale të parashikuara me ligj.”

Të dy institucionet angazhohen në vendosjen e komunikimeve të drejtpërdrejta për shkëmbimin e informacionit dhe statistikave, për inicimin e propozimeve për ndryshime ligjore apo nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit, në zbatim të rekomandimeve të KSA-së, planit të veprimit të ICRG/FATF-së apo angazhime të tjera në këto fusha, në fushën e integrimit në BE etj.

Dokumenti i nënshkruar formalizon bashkëpunimin në funksion të sigurimit të efektivitetit në hetim, duke vënë theksin tek hetimet proaktive si dhe tek koordinimi i përfaqësimit të akuzës në Gjykatën e Lartë, duke garantuar njëkohësisht procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat e subjekteve të procedimit penal.

Palët vlerësojnë se bashkëpunimi mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme, në nivel qendror dhe në nivel rrethi gjyqësor, kryesisht në shkëmbimin e informacioneve dhe akteve procedurale që në fazat e para të hetimit dhe përmes një qasjeje të fokusuar në bashkëveprimin e bashkërendimin e njëkohshëm edhe përmes kontakteve e komunikimeve permanente, përveçse do të ndikojë në përshpejtimin e hetimeve, eficencën e tyre si dhe goditjen e aseteve kriminale, do të sjellë në përgjithësi rezultate të ndjeshme në luftën kundër krimit, duke rritur kështu edhe besimin e publikut tek organi i prokurorisë.

 

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa Nr1. Tiranë
Kodi Postar 1000
Tel: 042282000
 
 
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.