Prokuroria e Përgjithshme ka hartuar listën e kandidatëve prokurorë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë.

Në bazë të nenit 220 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet, ndër të tjerë, nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe dy prokurorë pranë Prokurorive të Apelit.

Bazuar në kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë, me nr. 2927, dt. 20.11.2017, Prokuroria e Përgjithshme verifikoi listën e prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokurorët në nivel Apeli, duke pasur parasysh kushtet dhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për zgjedhjen në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Në nenin 221 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohen kushtet dhe kriteret, si vijon:

Neni 221
Kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve
të Këshillit dhe procedurat e përzgjedhjes

1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit;
b) nuk ka një masë disiplinore në fuqi;
c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;
ç) magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi;
d) magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe
profesional;
e) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është dënuar më parë me sanksion
administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave

Në bazë të verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme, kriteret e përcaktuara në nenin 221, të sipërcituar, i përmbushin plotësisht, prokurorët, si vijon:

1. Znj. Rovena Gashi, Prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme
2. Znj. Fatjona Memçaj, Prokurore pranë Prokurorisë së Apelit, Tiranë
3. Z. Gentian Trenova, Prokuror pranë Prokurorisë së Apelit, Tiranë

 

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.