Prokuroria organizohet dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor.
Prokuroria përbëhet nga:
- Prokuroria e Përgjithshme;
- Prokuroria e Posaçme, sipas ligjit të posaçëm;
- Prokuroritë pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm;
- Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
Prokuroria e Përgjithshme ka juridiksion mbi të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe e ka selinë në Tiranë. Prokuroria e Përgjithshme përfaqëson çështjet përpara Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të çështjeve të juridiksionit të Prokurorisë së Posaçme, dhe kryen detyra të tjera të parashikuara me ligj.
Funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate apeli të juridiksionit të përgjithshëm ushtrohen nga prokurorët e apelit. Juridiksioni i tyre shtrihet në territorin e juridiksionit të gjykatës përkatëse.
Funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm ushtrohen nga prokurorët pranë gjykatës së shkallës së parë. Juridiksioni i tyre shtrihet në territorin e juridiksionit të gjykatës përkatëse.