Prokurori i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson në emër të shtetit akuzën në gjyq. Po ashtu ai është përgjegjës edhe për realizimin e një sërë detyrash të tjera që, me ligj, i ngarkohen Prokurorisë.
Për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ligji për prokurorinë ose nga ligje të veçanta Prokurori i Përgjithshëm nxjerr urdhëra dhe udhëzime të ndryshme.
Me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm bëhet përcaktimi i organizimit të hollësishëm si dhe i funksioneve të hallkave të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për prokurorë pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë.
Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të komandojë prokurorë nga prokuroritë ku punojnë në prokurori të tjera si dhe të japë urdhër për pezullimin e prokurorëve në ushtrimin e detyrës kur ndaj tij vendoset nisja e procedimit penal deri në përfundimin e procedimit apo kur zbulohet një shkelje e rëndë disiplinore.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përbëhet nga kabineti; drejtoritë dhe sektorët. Pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm funksionojnë edhe shërbimet e ekspertimeve, organizimi dhe funksionimi i të cilave përcaktohen me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.