Media

Duke marrë shkas nga pamjet filmike të transmetuara më datë 09.05.2023, në emisionin investigativ ‘Stop’, ku shfaqet oficeri i policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Berat, shtetasi L.F., i përfshirë në një akt korruptiv, Ju informojmë si më poshtë:

Pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat është referuar nga Komisariati i Policisë Berat materiali numër 1030, datë 03.05.2023, material i cili është shortuar më datë 09.05.2023, ora 15:00. Materiali referues nuk është marrë ende në vlerësim nga prokurori. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vlerësuar se veprimet e oficerit të policisë mund të përbëjnë elementë të veprës penale, të korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë, parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal, vepër kjo në kompetencë lëndore të Prokurorisë së Posaçme të Korrupsioni dhe Krimit të Organizur. Për rrjedhojë, rasti është referuar në prokurorinë kompetente.

Ju bëjmë me dije se për oficerin e policisë gjyqësore L.F., nga prokurorët e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën, është kërkuar fillimi i procedimeve disiplinore për shkelje të rënda të përsëritura të detyrës. Rezulton se ndaj tij, bazuar në kërkesën e Prokurorit, Komisioni i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, me vendimin nr.24 datë 27.01.2023, ka vendosur marrjen e masës disiplinore, ‘Vërejtje me paralajmërim’. Po më datë 15.03.2023, është kërkuar fillimi i procedimit disiplinor ndaj oficerit L.F. Kërkesa së bashku me relacioni përkatës, i është drejtuar Drejtorisë së Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe një kopje për dijeni i është dërguar edhe Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat, shpreh keqardhje për qëndrimet dhe deklaratat e bëra nga oficeri i policisë gjyqësore në drejtim të prokurorëve, deklarata të cilat i cilëson të pavërteta, fyese dhe që cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e Prokurorit. Organi i akuzës inkurajon qytetarët dhe emisionet investigative të referojnë çdo akt korruptiv apo veprim tjetër të paligjshëm.