Media

Korrupsioni në Qendrën e shpërndarjes së Metadonit “Aksion Plus Durrës”, Prokuroria e Durrësit çon në gjyq dy të pandehurit, akuzat

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në përfundim të hetimit të procedimit penal, të filluar në datën 19.07.2023, dërgon në gjyq çështjen penale me të pandehur:

M.L. banuese në Marinës, Durrës, e hetuar në gjendje të lirë. Akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal; dhe 

Xh.Z., banues në Durrës, i hetuar në gjendje të lirë. Akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga neni 245/1 paragrafi 3 te K. Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka rregjistruar procedimin penal mbi bazën e akteve të dërguara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, ku referohet ndër të tjera se më datë 12.07.2023, oficerët e policisë gjyqësore, kanë marrë dijeni se në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në televizionin publik “Top Channel”, është publikuar një video-audio ku denoncohet një rast i korrupsionit në Qendrën e Shpërndarjes së Metadonit “Aksion Plus Durrës”.

Nga hetimi, janë provuar elementë të figurës së veprës penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" parashikuar nga neni 259/1 i Kodit Penal, pasi e pandehura M.L., në cilësinë me detyrë infermiere në Qendrën e Shpërndarjes së Metadonit “Aksion Plus Durrës” me veprimet e saj kriminale, ka cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar veprimtarinë e rregullt të organeve publike të ngarkuara me shërbimin dhe trajtimin personave me vartësi nga narkotikët, të cilët trajtohen me “metadon”, të mbrojtura nga legjislacioni penal.

E pandehura M.L., me detyrë infermiere në Qendrën e Shpërndarjes së Metadonit “Aksion Plus Durrës”, ka marrë drejtpërdrejtë përfitim të parregullt material në vlerën 3.000 lekë, për vete ose për persona të tjerë, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e saj si infermiere që merret me shpërndarjen e Metadonit tek përdoruesit e lëndëve narkotike, kryesisht heroinë. 

Ndërkohë, i pandehuri Xh.Z., u provua se ka konsumuar veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 3 i K. Penal, pasi me veprimet e tij kriminale ka cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar funksionimin normal të organeve publike (Qendra “Aksion Plus Durrës”, etj) si dhe autoritetin dhe integritetin e punonjësve që ushtrojnë funksione publike, marrëdhënie këto të mbrojtura nga legjislacioni penal.
I pandehuri Xh.Z, e ka kryer veprën nëpërmjet kërkimit apo pranimit drejtëpërdrejtë të përfitimeve të parregullta për të tjerë, duke premtuar apo siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksion publik, e konkretisht me qëllim që të nderhyjë tek infermieria M.L., që merret me shpërndarjen e Metadonit tek përdoruesit e lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, duke i kërkuar që në kudërshtim me ligjin të japë metadon për persona që nuk iu takon.