Media

Me kërkesë autoriteteve Italiane, Prokuroria Durrës sekuestron pronat e shtetasit G.S. nën akuzë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Zakonshme të Breshias, Seksioni i Masave Autonome të Parandalimit, kërkoi vendosjen e sekuestros preventive të pronave të shtetasit G.S. për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal. 

Kërkesa për ndihmë juridike në lëndën penale, u bë nga autoritetet e drejtësisë së Republikës së Italisë, duke u bazuar në Konventën Evropiane për Ndihmë të Ndërsjelltë Juridike në Çështjet Penale (Ratifikuar nga R. Shqipërisë me ligjin nr.9871, dt. 11.02.2008), si dhe parashikuar sipas kërkesave të nenit 506 të K. Pr. Penale, si dhe nenet 14 dhe 20 të Ligjit nr. 10193, dt. 03.12.2009 “Për Mardhëniet Juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. 

Nëpërmjet letërporosisë nga Prokuroria e shkallës së Parë Breshia, kërkohet ndër të tjera se: 
Duke pasur parasysh nenin 13 të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar transnacional, të nënshkruar gjatë Konferencës së Palermos (12-15 dhjetor 2000) dhe duke vene në dukje se neni 3 i së njëjtës Konventë, parashikon që ai zbatohet edhe për procedurat parandaluese, të zbatohet Dekreti nga Gjykata e Zakonshme e Breshias, Seksioni i Masave Autonome te Parandalimit, që urdhëron sekuestrimin e pronave të mëposhtme: 

- Pasuri e paluajtshme e tipit apartament me sipërfaqe 48.8 m2 në emër të G.S dhe S.H.;

- Pasuri e paluajtshme e tipit apartament me sipërfaqe 330 m2, e regjistruar në emër të G.S. dhe S.H.; 

- Pasuri e paluajtshme e llojit arë, me sipërfaqe 12,710 m2, blerë nga G.S.;

- Pasuri e paluajtshme e llojit arë, me sipërfaqe 7.890 m2, në emër të shtetasit A.L., blerë nga G.S;

- Pasuri e paluajtshme e deklaruar për legalizim në emër të shtetasit G.S, objekt 3-katësh, me sipërfaqe ndërtimi 140 m2, ndërtuar në truall 300 m2; dhe

- Pasuri e paluajtshme e deklaruar për legalizim, në emër të shtetasit S.S., objekti 2 kate, me sipërfaqe ndërtimi 140 m2, ndërtuar në një sipërfaqe trualli 500 m2.

Vlen të theksohet se në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është regjistruar procedimi penal në vitin 2014, i rifilluar në vitin 2018, që bën fjalë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal. Në interes të këtij procedimi, me vendimin të vitit 2021, është vendosur caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, për pasuritë e shtetasit G.S., etj, ku bëjnë pjesë edhe pasuritë e mësipërme. Në përfundim të hetimeve është marrë i pandehur shtetasi G.S., etj, dhe kjo çështje penale është sjellë për gjykim më shkresën në vitin 2023.