Media

Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr. 1714, të filluar në datën 29.09.2017, kundër:
Të pandehurit: Sh.H, Akuzuar: për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal.
Ka  rezultuar se më datë 20.09.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës, ka rregjistruar procedimin e mësipërm penal, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në D.P.Q.Durrës parashtrohet se ka të dhëna që hedhin dyshime në lidhje me transaksione finaciare me qëllim pastrimin e parave në ngarkim të shtetasit Sh. H. 
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se më datë 11.03.2015, shtetasi Sh. H. ka çelur një llogari individuale në Lek te Banka Credins. 
Më tej, më datë 31.07.2017, ka çelur llogari rrjedhëse në EURO po tek Banka Credins por tashmë në emër të shoqërisë “Sh. H.”, Person Fizik, me Nipt XXXXXXX, ku rezultoi si vijon: 
    Më datë 15.08.2017, ka përfituar një transfertë në vlerën 48.900 EUR nga shoqëria italiane “YYYYY” s.r.l. me përshkrimin “invoice nr. 520 dt. 31.07.2017”.
    Më datë 18.08.2017, ka tërhequr 35.000 EUR, me përshkrim “për biznesin”.
    Më datë 21.08.2017, kanë mbërritur edhe dy transferta të tjera nga i njëjti urdhërues italian “YYYYY” s.r.l., në vlera përkatësisht 47.250 EUR dhe 48.900 EUR, me përshkrime përkatësisht “invoice nr. 532 dt.11.08.2017” dhe “invoice nr. 520 dt. 31.07.2017”. 
Gjendja e llogarisë në datë 15.09.2017, është 110.072 Euro. 
Në lidhje me 3 transfertat e datës 15 dhe 21 gusht, per subjektin “Sh. H.”, Person Fizik, me Nipt XXXXXXX, rezulton se:
    Sipas përshkrimit në faturat justifikuese të transfertave të fondeve në favor të subjektit “Sh. H.”, Person Fizik, me Nipt XXXXXXX, rezulton se ky i fundit i ka faturuar shoqërisë “kolektor për energjinë diellore efikase për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar”, mall i cili sipas faturave ka njësi matëse m2 dhe çmim 50 Euro për njësi.
    Faturat e shitjes janë letër e plotësuar dhe e printuar nga shoqëria “Sh. H.”, Person Fizik, me Nipt XXXXXXX, pra nuk janë fatura shitje sipas formularëve të miratuara zyrtarisht.
    Më tej, ky shtetas ka shtuar si objekt veprimtarie jo shitjen e “kolektor për energjinë diellore efikase për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar”, por ‘Konsulenca për boilerë diellore’. Për shpjegimin e marrëdhënies me shoqërinë që ka transferuar fondet parashtron se ka një kontratë të muajit Mars 2017, por ka refuzuar ta tregojë e depozitojë atë në bankë.
Duke qenë se faturat nuk ishin aspak bindëse për të justifikuar transfertat dhe marrëdhënien me shoqërinë, shtetasi Sh.H., ka parashtruar e madje përpiluar edhe deklaratë noteriale, se këto fonde janë në funksion të qiradhënies së pasurive (vresht dhe ullishte), vlera e së cilës (qirasë) rezulton e lartë 150 000 Euro/vit për 4000 m2 tokë bujqësore. Në këto kushte, ky shtetas ka deklaruar se transfertat kanë ardhur gabimisht në llogari të shoqërisë pasi duhet të vijnë në llogarinë personale (pagesë qiraje), ndonëse pikërisht ky ka hartuar e dërguar faturat e shitjes.
Për faktet e mësipërme, nga ana e DPPP Parave Tiranë, me Urdhërin Nr.97 datë 18.09.2017, për “Bllokim i përkohshëm i transaksioneve”, është urdhëruar bllokimi i llogarisë bankare, në Bankën Credins, në emër të shtetasit Sh.H. si dhe “Sh. H.”, Person Fizik, me Nipt XXXXXXX, për një periudhë prej 72 orësh. Më tej, me vendimin tonë datë 20. 09. 2017, është vendosur sekuestrimi i shumave të depozituara në llogarinë bankare të subjekteve të mësipërm, ku është sekuestruar shuma 110.072 euro dhe 600.22 lekë. 

Gjatë hetimeve paraprake nga ana e shtetasit Sh.H, është paraqitur kopje e një Kontrate Qeraje nr. 3601 Rep. dhe nr. 1233 Kol, datë 07.09.2017, e cila është lidhur pas transfertave të parave dhe ku paraqitet se shtetasi Sh.H ka lidhur kontrate qeraje, me shoqërinë italiane “YYYYY” s.r.l me administrator shtetasin Italian G.G. lindur në Sambiasë, Itali.

Shtetasi Italian G.G si dhe shtetasi A.Sh. janë persona të dyshuar për aktivitete kriminale në fushën e bashkëpunimit të jashtëm në shoqatë mafioze, krime në fushën e financave si dhe me tendencën e trafikimit të lëndëve narkotike, aktivitete këto të cilat gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme kriminale. Këta shtetas dyshohet se të paktën kishin në dispozicion një shumë prej 600.000 euro, si të ardhura nga aktiviteti kriminal.  
Për këtë qëllim, shtetasi Sh.H, ka marrë përsipër që këtë shumë parash ta transferojë nga Italia në Republikën e Shqiperisë, duke e paraqitur sikur kjo është pjesë e investimit që do të kryejë shoqëria italiane “YYYYYY” SRLS, me administrator shtetasin G.G., kompani e cila në realitet nuk kishte lidhje me këtë person, por i përkiste shtetasit italian N. L. S. R., i cili nuk kishte asnjë lloj dijenie në lidhje me këtë kontratë. 

Pra, sa më sipër rezulton se shtetasi Sh.H. me veprimet e kryera nëpërmjet transferimit të shumës prej 145.072 Euro, në llogarinë bankare te subjekti Sh. H. PF, shumë e cila dyshohet se rrjedh nga akviteti kriminal, duke e paraqitur sikur kjo është pjesë e pagesës së faturave për sherbime të pakryera, apo investimit që do të kryhej nga kompania italiane “YYYYYY” SRLS, ka konsumuar me dashje direkte elementët e vepres penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal.

Fakti i provuar me provat e mësipërme përbën veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal, pasi i pandehuri Sh. H, me veprimet e tij kriminale ka cenuar mërrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar rendin dhe sigurinë publike si dhe sistemin ekonomiko-financiar nga investimet në ekonominë e Republikës së Shqipërisë të parave të përfituara nga kryerja veprave penale apo nga veprimtarite kriminale. 

I pandehuri Sh H, veprën penale e ka kryer, nëpërmjet transferimit pjesë-pjesë të parave produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale dhe posedimit apo fitimit të pronësisë mbi to. Këtë veprim e ka kryer me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke e paraqitur atë si të ishte pjesë e shitjes së kolektorëve për energjinë diellore efikase për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar, më pas duke e paraqitur si shërbim konsulence dhe në fund si pagesë qeraje për një sipërfaqe toke.