Media

Prokuroria e Durrësit nis hetimet për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596, datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit.

Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike. 

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe
institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.