Media

Prokuroria Elbasan regjistron procedimin penal për shtetasin D.K. për ‘Goditje për shkak të detyrës’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, më datë 16.02.2024, në bazë të materialit hetimor të ardhur nga Komisariati i Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr.298, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e kryer në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën të parashikuar nga neni 237/5 të K.Penal me person nën hetim D.K., i ditëlindjes 1984.

Personi nën hetim, shtetasi D.K. prind i fëmijëve që ndjekin shkollën “Qamil Guranjaku” në Elbasan, dyshohet se ka goditur rojen 70-vjeçar të institucionit arsimor në prani të fëmijëve e prindërve të tjerë. 

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan, me datë 17.02.2024 nga Prokuroria Elbasan është nxjerrë urdhri përkatës, i cili i është ngarkuar për ekzekutimin e ndalimit nga shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Elbasan.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me policinë e shtetit.