Media

Prokuroria e Fierit regjistron p.penal për ‘Vrasje me dashje’, ‘Prodhimi, mbajtja pa leje e armëve të ftohta’ për shtetasin Xh.M. i cili vrau të riun në Lagjen ‘11 Janari’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka regjistruar procedimin penal për ‘Vrasje me dashje’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’ parashikuar nga nenet 76 dhe 279 të Kodit Penal ndaj shtetasit Xh.M., i cili pak ditë më parë goditi me mjet të mprehtë shtetasin Xh.B. I riu humbi jetën për shkak të plagëve të mara.

Në bashkëpunim me policinë gjyqësore, u bë e mundur dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 05.07.2024, në lagjen “11 Janari”, Fier.

Pas arrestimit në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit Xh.M., Prokuroria Fier kërkoi në gjykatë vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale. Kjo kërkesë u miratua nga Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Në lidhje me këtë procedim penal, prokuroria informon se po kryhen hetime të plota dhe në dinamikë me qëllim përcaktimin e rrethanave të plota, motiveve dhe dinamikës së ngjarjes.