Njoftime për Shtyp

Komunikimi efektiv me median dhe publikun, garanci për mirëfunksionimin e institucioneve të drejtësisë

19 nëntor 2021. Prokurorët e medias në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshmëm dhe koordinatorët për të drejtën për informim u njohën me parimet kryesore të Komunikimit efektiv me publikun dhe median gjatë trajnimit 2-ditor të organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Misioni PAMECA V. 

Prokurorët e medias u njohën me teknikat dhe konceptet kryesore të komunikimit efektiv që synojnë informimin sa më të mirë të publikut dhe bërjen transparente të punës së prokurorive. Ekspertët sollën shembuj konkretë dhe raste studimore nga praktikat më të mira vendase dhe të huaja të cilat ndikojnë jo vetëm në informimin, por edhe ndërgjegjësimin e opinionit publik përmes bashkëpunimit efektiv me median. 

Praktika ndërkombëtare e komunikimit prokuror, media dhe opinion publik u përcoll nga prokurori i deleguar i Zyrës së Prokurorëve Evropianë në Itali Francesco Testa, ndërsa Elona Hoxhaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë Për të drejtën për Informim pranë zyrës së Komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale adresoi disa nga rastet dhe praktikat që lidhen me zbatimin e programit të transparencës nga prokuroritë dhe kërkesat për informim të qytetarëve dhe medias nën sferën e kufizimeve që njeh ligji. 

Të ftuar në këtë trajnim ishin edhe gazetarët e mediave kombëtare dhe lokale të cilët diskutuan me përfaqësuesit e prokurorive dhe u ndalën në përmirësimin e komunikimit në interes të informimit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik, pa cënuar të drejtat dhe liritë e individëve. 

Informimi, transparenca dhe llogaridhënia janë garanci për mirëfunksionimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe Prokuroria e Përgjithshme është e angazhuar në respektimin e këtyre parimeve me synimin për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.