Komisioni i Policisë Gjyqësore

Komisioni i Policisë Gjyqësore

ROLI DHE FUNKSIONET E POLICISË GJYQËSORE 

Policia gjyqësore është organizuar dhe funksionon në përputhje me dispozitat e Ligjit nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” ndërsa veprimtaria e oficerëve të Policisë Gjyqësore mbështetet dhe kryhet sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale. 

Ligji 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” ka sjellë ndryshime të rëndësishme organizative për përmirësimin e rolit hetues të oficerëve të policisë gjyqësore dhe konfirmoi rolin drejtues të prokurorëve në hetim.

Funksionet e Policisë Gjyqësore në Shqipëri kryhen nga seksionet e policisë gjyqësore, të ngritura pranë prokurorive dhe nga shërbimet e policisë gjyqësore, të organizuara në strukturat hetimore të Policisë së Shtetit ose Policisë Kufitare dhe në institucionet e tjera shtetërore të cilave ligji u njeh te drejtën e ushtrimit të funksioneve të policisë gjyqësore, sikurse janë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Policia Ushtarake, etj.

Në ushtrimin e funksioneve të saj, Policia Gjyqësore orientohet nga parimi i ligjshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit, objektiviteti dhe drejtësia, profesionalizmi dhe ndershmëria në kryerjen e detyrave të saj, duke shmangur konfliktin e interesit, duke garantuar konfidencialitetin dhe sekretin hetimor, si dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.