Organizimi

Organizimi

PROKURORI I PËRGJITHSHËM
Funksionet
Prokurori i Përgjithshëm është drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka përgjegjësi për punën e Prokurorisë dhe të prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë dhe apelit.
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Prokurori i Përgjithshëm emërohet në përputhje me nenin 148/a të Kushtetutës.

Prokurori i Përgjithshëm përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme. Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime të përgjithshme për prokurorët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe oficerët e Policisë Gjyqësore dhe mbikëqyr zbatimin e tyre, raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit në vend, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale, administron sistemin e përgjimeve dhe ushtron të tjera kompetenca sipas nenit 38 të Ligjit Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

ORGANIZIMI DHE DREJTIMI I PROKURORISË SHQIPTARE 

Prokuroria organizohet dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor. Prokuroria përbëhet nga:

a) Prokuroria e Përgjithshme;
b) Prokuroria e Posaçme, sipas ligjit të posaçëm;
c) prokuroritë pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm;
ç) prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
 

Drejtimi dhe përfaqësimi i prokurorisë, bëhet, respektivisht, nga:

a) Prokurori i Përgjithshëm;
b) Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
c) drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm;
ç) drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

PROKURORIA E PËRGJITHSHME

Prokuroria e Përgjithshme ka juridiksion mbi të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe e ka selinë në Tiranë.

Prokuroria e Përgjithshme ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria funksionon pranë sistemit gjyqësor bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe Ligjit organik nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.

PROKURORËT

Prokurorët në ushtrimin e detyrës u nënshtrohen Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe ligjeve të tjera në fuqi.

Prokurorët i ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe interesit publik.