Organizimi
Organizimi
KOMISIONI I POLICISË GJYQËSORE
Komisioni i Policisë Gjyqësore u krijua dhe vepron sipas Ligjit 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”. Ai ka autoritet mbi disa aspekte të zhvillimit në karrierë të policisë gjyqësore.
Komisioni i Policisë Gjyqësore ka vendndodhjen në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme. Komisioni ka në përbërje të tij pesë anëtarë:
- Një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme i caktuar nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili është Kryetar i Komisionit dhe e ushtron detyrën me kohë të plotë;
- Një anëtar oficer i policisë gjyqësore i seksionit të prokurorisë, me përvojë pesëvjeçare si oficer i policisë gjyqësore;
- Një anëtar oficer i shërbimeve të Policisë së Shtetit, pjesë e strukturës hetimore, me përvojë jo më pak se pesë vjet si oficer i policisë gjyqësore, i caktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
- Një anëtar, drejtues i strukturës hetimore të shërbimeve të Policisë së Shtetit me gradën jo më të ulët se drejtues;
- Një anëtar i shërbimeve të tjera të Policisë Gjyqësore të institucioneve të tjera shtetërore, i cili caktohet me rotacion, çdo dy vjet, nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe/ose nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave.
- Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Policisë Gjyqësore kanë mandat dy vjeçar me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë. Anëtarët e Komisionit shërbejnë me kohë të pjesshme.
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
Mbledhjet e Komisionit të Policisë Gjyqësore thirren nga kryetari dhe janë të vlefshme kur janë të pranishëm 3 (tre) anëtarë.
Mbledhjet e Komisionit mbahen në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.
Komisioni ushtron kompetencat e tij duke marrë vendime në mënyrë kolegjiale. Komisioni vendos me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm, me votim të hapur. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.
KOMPETENCAT
Komisioni bazuar në Ligjin 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” ushtron këto kompetenca:
- Përcakton numrin e përgjithshëm të oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve dhe shërbimeve, në bashkëpunim me Prokurorin e Pergjithshëm dhe ministrat përgjegjës të cilët kanë në varësi shërbimet e policisë gjyqësore.
- Emëron, ngre në detyrë, transferon dhe komandon oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.
- Miraton transferimin dhe komandimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore të shërbimeve, me propozim të titullarit të institucionit shtetëror ku ata bëjnë pjesë.
- Shqyrton kërkesat për procedim disiplinor ndaj oficerëve të policisë gjyqësore sipas parashikimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”
- Vlerëson rezultatet e punës dhe integritetin e oficerëve të policisë gjyqësore.
- Përcakton rregullat për organizimin e trajtimit fillestar për hetimin sipas neneve 16 dhe 17 të ligjit 25/2019, në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm, Akademinë e Sigurisë ose institucionet publike arsimore të ngarkuara me ligj për trajnim profesional .
- Vlerëson nevojat për trajnim dhe planifikon trajnimet e oficerëve dhe agjentëve të policisë gjyqësore në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Akademinë e Sigurisë, dhe institucionet publike arsimore të ngarkuara me ligj për trajnim profesional .
- Komisioni i Policisë Gjyqësore luan rol të rëndësishëm në disa aspekte të zhvillimit në karrierë të oficerëve të policisë gjyqësore, ajo vlerëson performancën e tyre në punë dhe integritetin profesional, si dhe shqyrton kërkesat për masat disiplinore. Komisioni i Policisë Gjyqësore është gjithashtu në pozicion kyç për kualifikimin dhe zhvillimin profesional të policisë gjyqësore, pasi ai vlerëson nevojat për trajnim dhe planifikon trajnimet.