Njoftime për Shtyp

Adriatik Llalla: “Politikë e ashpër penale për krimin në familje”

Prokurori i Përgjithshëm hap mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë, ku shqyrtohen kandidaturat për drejtues të prokurorive Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Prokurorisë
Të nderuar përfaqësues të medias,

Së pari, është kënaqësi t’ju takoj në këtë mbledhje dhe t’ju falenderoj për punën Tuaj të deritanishme dhe për mbështetjen që keni ofruar për Prokurorin e Përgjithshëm.

Tashmë rendi i ditës është prezantuar për të gjithë, ku në qendër të diskutimeve do të jenë shqyrtimi i kandidaturave për drejtues të disa prokurorive, ndër më të rëndësishmet në Republikën e Shqipërisë.

Pranë strukturës përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme kanë aplikuar disa prokurorë për vendet vakante. Në total janë 19 kandidatura për drejtimin e Prokurorive të Tiranës, Durrësit, Fierit, Shkodrës dhe për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërsa pak ditë më vonë, Këshilli do të shqyrtojë edhe kandidaturat për drejtimin e prokurorisë së Kurbinit dhe Vlorës. Paraprakisht, më duhet t’ju shpreh se kam vlerësimin tim për të gjithë kolegët tanë që kanë aplikuar për këto pozicione.

Pavarësisht se ligji organik i institucionit e ka përcaktuar Këshillin e Prokurorisë si një organ konsultativ për Prokurorin e Përgjithshëm, faktikisht ju jeni një filtër shumë i rëndësishëm për të promovuar vlerat më të larta të stafit.
Dhe, besoj se gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli i Prokurorisë do të arrijë të veçojë mes kandidaturave ata prokurorë, të cilët kanë dëshmuar integritet dhe profesionalitet të lartë në kryerjen e detyrave të tyre. Këto janë dy elementët bazë që duhet të karakterizojnë çdo prokuror të Republikës së Shqipërisë dhe kriteret për ngjitjen në shkallët hierarkike të institucionit. Që në krye të mandatit tim e kam prezantuar se meritokracia është e vetmja bazë solide që do të influencojë në promovimin e prokurorëve. Kjo është e vetmja kërkesë që ju drejtoj sot; pra, të vlerësohen më të mirët e më të mirëve mes nesh.

E përmenda edhe më lart. Sot ju do të vendosni se cilët prokurorë do t’i propozoni titullarit të institucionit për drejtues të disa prej prokurorive më të rëndësishme të vendit. Kjo detyrë, për këdo që do të promovohet në pozicion drejtues, më shume se sa një sfidë e fituar, është një sfidë e pafilluar.
Përtej kënaqësisë profesionale, drejtimi i një strukture prokurorie është një përgjegjësi shumë e madhe. Çdo drejtues prokurorie duhet të jetë i aftë profesionalisht, por edhe të dijë të menaxhojë një trupë punonjësish me eksperiencë dhe që shumë prej tyre mund të ishin në pozicione titullari. Drejtuesi duhet të veprojë në bazë të prioriteteve instutucionale në çdo kohë dhe vendimmarrje dhe, natyrisht, duke zbatuar me rigorozitet maksimal ligjin.
Ky është një mesazh jo vetëm për drejtuesit e rinj, por edhe për ata kolegë që janë promovuar në këto kohë; pozicionet nuk janë të hipotekuara dhe cilido prokuror, në çdo nivel, është dhe do të jetë në monitorim të vazhdueshëm për cilësinë e punës së tij.

Pra, është edhe njëherë vendi për ta ritheksuar që do të promovohen e mbështeten të gjithë ata prokurorë, të cilët udhëhiqen nga ligji dhe vetëm nga ligji në praktikën e tyre të përditshme.  Garantoj drejtuesit dhe prokurorët e çdo niveli se do të kenë mbështetjen maksimale të Prokurorit të Përgjithshëm në kryerjen e funksioneve të tyre përsa kohë do të dëshmojnë integritet të lartë moral dhe profesional.

Organi i prokurorisë dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi përballet me sfida të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Ditët e fundit ka pasur disa ngjarje të rënda, kryesisht të krimit brenda familjes. Këto raste, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë hetuar në mënyrë të menjëhershme dhe ndaj të gjithë personave të dyshuar është vendosur nga gjykata masa e sigurisë “arrest me burg”. Do të kërkoj nga të gjithë prokurorët që të vijojnë të ndjekin një politikë të ashpër penale për këdo që cënon jetën, pronën, rendin dhe sigurinë publike. Në këtë mënyrë do të vijojë të forcohet efikasiteti i luftës kundër krimit. Po ashtu, do të vijoj të nxis luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit. Vetëm gjatë javëve të fundit janë dërguar për gjykim zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët akuzohen për veprime korruptive dhe abuzim me detyrën. Por, jam i bindur se ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Nëpërmjet forcës së ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se është dhe do të jetë në krye të luftës për zbutjen e efekteve të korrupsionit në vendimmarrje publike.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Prokurorisë,
Ju falenderoj edhe njëherë për aktivitetin Tuaj. Shpreh bindjen se sot do të jeni në lartësinë e duhur për të përzgjedhur kandidatët më të mirë për vendet drejtuese që do t’i propozoni Prokurorit të Përgjithshëm. Ju siguroj se, në vendimmarrjen përfundimtare, do të vlerësoj argumentat tuaja për promovimin e prokurorëve në drejtimin e prokurorive që do të shqyrtohen sot.
Para se të mbyll fjalën time, dua të shpreh një falenderim të veçantë për median, e cila dëshmon gjithnjë mbështetje për aktivitetin e Prokurorisë.
Duke Ju falenderuar që ishit sot në hapjen e këtij takimi, ju përshëndes dhe bashkë me median do të largohem edhe unë nga salla për t’i krijuar mundësi anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë të shqyrtojnë me qetësi kandidaturat.

Ju faleminderit të gjithëve!

Data: 19.07.2013