Njoftime për Shtyp

Analiza e Prokurorisë në Durrës, intensifikim luftës kundër krimit ekonomik

Analiza e Prokurorisë në Durrës, intensifikim luftës kundër krimit ekonomik
 
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon forcimin e rolit të organit të akuzës në luftën kontrabandës dhe hetimit të zyrtarëve publikë që abuzojnë me pushtetin publik
 
 
FJALA E PROKURORIT TE PËRGJITHSHËMNË ANALIZËN VJETORE PËR VITIN 2013
TË PROKURORISË SË RRETHIT GJYQËSOR DURRËS
 
Të nderuar kolegë dhe të pranishëm
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor dhe ajo e Apelit në Durrës kanë një peshë të rëndësishme në luftën kundër kriminalitetit në vend. Këtu ka lëvizje të madhe të njerëzve dhe mallrave, gjë e cila ndikon në rritjen e volumit të punës për këto struktura. Gjithashtu, në këtë zonë ka ndërthurje të interesave të mëdha ekonomike, të cilat shpesh tentojnë të krijojnë pengesa të ndryshme në funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
Kjo prokurori gjatë viti 2013, është përballur me një numër të lartë proçedimesh penale, krahasuar me vitet e kaluara. Nisur nga shifrat, vlerësoj angazhimin tuaj për trajtimin e çështjeve. Është shtuar ndjeshëm numri i proçedimeve penale të dërguara në gjykatë dhe akuza është përfaqësuar më denjësisht në proçeset gjyqësore.
Gjatë vitit 2013, konstatohet se për mjaft raste të referuara nga policia e shtetit, institucione të ndryeshme shtetërore apo të kallëzuara drejtëpërdrejtë nga qytetarët është vendosur mosfillimi i hetimeve për arsye se materialet kallëzuese nuk përmbanin elementë të veprave penale ose kanë qënë të paplota.
Por gjithësesi, edhe për këto raste prokurorët e rrethit gjyqësor, të Apelit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatat dhe janë investuar në kohë dhe energji.
Raporti me gjykatat në vlerësimin tonë ka ardhur duke u përmirësuar. Konstatojmë se Gjykata e Rrethit Gjyqësor në shumicën e rasteve sidomos në pjesën e dytë të vitit të kaluar ka mbështetur kërkesat tuaja si në fazën e hetimeve paraprake dhe në gjykimet përfundimtare.
Problem shqetësues vijon të mbtetet Gjykata e Apelit. Në mjaft raste ka prishur vendimet e shkallës së parë duke bërë që shumë punë e realizuar në disa raste për vite me rradhë të hidhet poshtë nga një vendim i cili të krijon dyshime. Ne kemi të gjithë instrumentat ligjore që ndaj kujtdo që abuzon me detyrën të fillojmë hetimet përfshi këtu edhe ndaj gjyqtarë.
Megjithatë, para se të evidentojmë përgjegjësitë jashtë nesh, duhet të kërkojmë më shumë nga radhët tona. Për periudhën në vijim po ju paraqes disa objektiva që duhen realizuar nga prokurorët e kësaj prokurorie.
Për të qenë më efikas në hetime, do të kërkoj prej jush që të jeni më aktivë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit si dhe me gjithë institucionet e tjera shtetërore. Duhet të jeni më aktivë me orientimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe në kontrollin e punës së tyre gjatë fazës së hetimeve. Ju garantoj se nuk do të pranohet në vijim argumenti për punën e mangët të oficerëve të policisë.
Në çdo rast që konstatoni mangësi në punën e tyre, do të kërkoni marrjen e masave që parashikon ligji. Komisioni disiplinor duhet të funksionoj në mënyrë të vazhdueshme.
Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje për të përcaktuar përgjegjësitë për hetimet e paplota. Pra, do të arrihet të dallohet nëse shkak janë oficerët e policisë apo prokurorët.
Për çdo rast që vlerësoni se vendimet e gjykatave janë dukshëm në favor të të pandehurve, do të ndiqni rrugën e ankimimit në shkallën më të lartë. Njëkohësisht, do të raportoni për çdo rast të tillë Drejtorinë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Vetëm nëpërmjet qëndrimit rigoroz dhe këmbëngulës do të arrijmë që të forcojmë raportet me gjykatat. Por nga ana tjetër, do të angazhohet edhe Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme për të vlerësuar cilësinë e materialeve që i drejtoni gjykatës.
Në mënyrë të përmbledhur, krahas mbështetjes, do të keni një monitorim të vazhdueshëm për punën tuaj.
Në vijim, dua të ndalem shkurtimisht në aktivitetin e Njësisë Task-Force dhe në Prokurorinë e Apelit.
Njësia Task-Force e Durrësit ka nivelin ndër më të lartët në përqindje të çështjeve të dërguara në gjykatë. Ky është një element për t’u vlerësuar. Megjithatë, jemi të gjithë dakord që nuk është goditur thelbi i korrupsionit në Durrës.
Në planin statistikor, konstatohet se referimet për vepra penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës janë në përgjithësi nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, institucionet e tjera që janë pjesë e Njësive të Përbashkëta Hetimore kanë referuar në shifra fare minimale.
Për të shmangur këtë vakum referimesh, do të kërkoj prej prokurorëve aktivizimin e tyre të plotë për fillimin e procedimeve penale Kryesisht. Informacionet nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët dhe media, duhet të shndërrohen në veprime konkrete nga ana e prokurorëve. Në këtë mënyrë, duhet të jeni të parët që jepni shembull se si duhet luftuar korrupsioni. Gjithësesi, të dhënat që po analizojmë i përkasin vitit 2013. Aktualisht, ekziston vullneti nga shumë institucione publike për të ndëshkuar korrupsionin. Për këtë arsye, prokuroria duhet të vijojë me intensitet më të lartë angazhimin në këtë drejtim.
Sa i përket Prokurorisë së Apelit, do të fokusohen në dy elementë:
Së pari: Nuk duhet të jeni hipotekues të hetimeve të shkallës së parë. Duhet të jeni mbështetës në rastet kur vlerësoni se kanë të drejtë. Por duhet të jeni kontrollues dhe vlerësues kur konstatohet se ankimi nga prokurorët e shkallës së parë është i pabazuar.
Së dyti: Duhet të jeni më këmbëngulës për të bindur Gjykatën e Apelit që të japë dënimet sipas shkeljeve të kryera nga të pandehurit.
Të nderuar kolegë,
Në përfundim, dua të ritheksoj vlerësimin për punën tuaj gjatë vitit 2013. Problematika e përmendur më sipër duhet të na shërbejë për të përmirësuar më tej punë tonë gjatë vitit në vijim.
Ju faleminderit për vëmendjen

Tiranë më 10.02.2014