Njoftime për Shtyp

Analiza në Prokurorinë e Tiranës: Duhet ritëm më i lartë kundër kriminalitetit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon impenjim maksimal nga ana e trupës së prokurorëve në kryeqytet. Fokus i veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik
 
Gjatë vitit 2013 është konstatuar rritje e ndjeshme e volumit të punës në Prokurorinë e Tiranës. Duke qenë qyteti më i rëndësishëm dhe me popullsinë më të madhe në Shqipëri, Tirana ka numër të lartë dhe larmi veprash penale.
Volumi i rritur i punës është përballuar në përgjithësi mirë nga trupa e prokurorëve.
Nga të dhënat statistikore, rezulton se ngarkesa e punës së çdo prokurori është mbi mesataren e përshtatshme për të kryer hetime të plota dhe profesionale për çdo rast. Megjithatë, në terma të përgjithshëm, hetimi i kryer nga prokuroria e Tiranës është në nivelin e kënaqshëm.
Por nga ana tjetër, duhet pranuar se ka ende shumë gjëra që duhen përmirësuar. Shifrat për vitin 2013 dëshmojnë se ka rritje të vendimeve të mosfillimit, si edhe ulje të çështjeve të dërguara për gjykim. Kjo situatë ka si pasojë kryesore cilësinë jo të mirë të referimeve nga ana e institucioneve të tjera. Në materialet e kallëzuara mungojnë provat e nevojshme ose referohen fakte që nuk përbëjnë vepër penale. Kjo situatë ka rritur në mënyrë të ndjeshme dhe fiktive punën e prokurorëve.
Për të racionalizuar angazhimin në punë, kërkohet prej Jush që të jeni më aktivë në bashkëpunim me institucionet e tjera për rritjen e cilësisë së materialeve të referuara.
Stafi i prokurorëve duhet të organizojë analiza periodike me agjencitë e tjera bashkëpunuese. Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar analizave me oficerët e Policisë së Shtetit. Nga të dhënat, rezulton se ky institucion ka prurjen më të madhe të referimeve dhe po aty konstatohen më shumë materiale me problematika. Po fokusohem në forcimin e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit, pasi është institucioni më kontribues në referime. Ndërkohë, në Tiranë vërehet se nga nstitucionet e tjera ka një ulje të ndjeshme të referimeve gjatë vitit 2013.
Duke rritur bashkëpunimin e me agjencitë e tjera ligjzbatuese, njëkohësisht rritet edhe cilësia e materialeve të referuara dhe kallëzuara. Pra, gjatë vitit 2014 kërkohet prej Jush që të jeni më aktivë në këtë drejtim, për ulur konsumimin e kohës me materiale që duken që në fillim që nuk do të përfundojnë në gjykatë.
Nga ana tjetër, konstatohet se ngarkesa me referime të paplota ka ndikuar në uljen e shpejtësisë së hetimit për rastet e tjera.  Pra, menaxhimi i kohës së punës nga ana juaj, gjatë vitit 2013, ka qenë në nivelin nën mesatar. Prokuroria e Tiranës është një hallkë shumë e rëndësishme e institucionit tonë dhe për këtë arsye, ritmi duhet të jetë shumë më i lartë.
Një pozitë të rëndësishme ka Njësia e Përbashkët Hetimore kundër Korrupsionit. Në Tiranë janë përqëndruar pjesa më e madhe e institucioneve qëndrore dhe kjo ndikon që Njësia të ketë ngarkesë të posaçme hetimore. Gjatë vitit 2013, nga kjo njësi janë përfunduar disa hetime me impakt të rëndësishëm në opinionin publik. Por, ka edhe shumë raste të tjera të cilat kanë nevojë për një ritëm më të lartë në hetim. Pritshmëria e opinionit publik për luftën kundër korrupsionit është shumë e madhe. Për këtë arsye, roli i organit të prokurorisë në këtë drejtim merr një rol vendimtar.
Nga ana e prokurorëve të kësaj njësie kërkohet koordinim më i madh me institucionet e tjera ligjzbatuese. Konstatohet se gjatë vitit 2013 është shtuar numri i rasteve të filluara kryesisht, ndërkohë që është ulur ndjeshëm kontributi i institucioneve të tjera, pjesë e Njësive të Përbashkëta Hetimore. Strukturat audituese në shumë institucione kanë qenë inekzistente. Shumë referime të tjera kanë pasur mangësi në prova dhe fakte. Kjo situatë ka ndikuar në uljen e rasteve të dërguara para gjykatës. Për shkak të numrit të vogël të çështjeve të referuara në vitin 2013 për korrupsionin në këtë Njësi, u vlerësua që një pjesë e prokurorëve të saj të kalonin në sektorë të tjerë të prokurorisë së Tiranë, ku ngarkesa ishte më e madhe. Aktualisht konstatohet rritje e ndjeshme e rasteve që trajtohen nga Njësia e Përbashkët Hetimore dhe po vlerësohet pozitivisht rritja e kapaciteteve njerëzore për të përballuar numrin gjithnjë e në rritje të kallëzimeve dhe referimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Të nderuar kolegë,
Ju garantoj se keni mbështetjen e plotë të Prokurorit të Përgjithshëm në zbatimin me korrektesë të detyrave tuaja. Ndërsa nga ana juaj do të kërkohet për vitin 2014 impenjim më i lartë në hetimet e të gjitha veprave penale.
Vetëm nëpërmjet punës tuaj do të arrini të bindim opinionin publik, institucionet e tjera bashkëpunuese dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për kontributin tuaj real në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Nëpërmjet aktivitetit sistematik do të forcojmë bindjen se prokurori dhe vetëm prokurori ka të drejtën që të ngrejë akuzën. Gjatë punës tonë, natyrisht përballemi me presionin pozitiv të faktorëve socialë dhe politikë për të rritur performancën e institucionit. Ky presion duhet të na nxisë që të japim maksimumin kundër paligjshmërisë. Dhe ky maksimum duhet të jepet vetëm në bazë dhe në zbatim të ligjit.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se puna e prokurorisë  është e monituar në çdo vendimmarrje të saj. Rol të veçantë në ngritjen profesionale të prokurorisë luan edhe media, e cila është një ndër bashkëpunëtorët kryesorë në aktivitetin e institucionit.
Pozicioni i medias është shumë i ndjeshëm, sidomos këtu në Prokurorinë e Tiranë, e cila për nga sasia e informacionit është një burim i rëndësishëm publik. Prokuroria e Përgjithshme e vlerëson pozitivisht menaxhimin e raporteve me median dhe me qytetarët në prokurorinë e Tiranës.
Është konstatuar disiplinim i rëndësishëm i dhënies së informacionit, duke ruajtur sekretin hetimor, por edhe duke respektuar të drejtën e informimit. Transparenca është një parim shumë i rëndësishëm i institucioneve në një shoqëri demokratike dhe për këtë arsye nxis stafin drejtues të prokurorisë së Tiranë që të vijojë me bashkëpunimin e ngushtë me median dhe qytetarët.
Ju faleminderit për vëmendjen


 Data 21.02.2014