Njoftime për Shtyp

Anti-trafiku i qënieve njerëzore, forcim kapacitetesh dhe bashkëpunim

 
Mesazhi i Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në seminarin e organizuar nga OPDAT (Ambasada e SHBA) lidhur me masat e marra për luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore dhe ri-integrimit të tyre në jetën sociale
 
I nderuar Zv. Ambasador i Sh.B.A-ve në Shqipëri Z. Jardine,
E nderuar Znj. Gjebrea,
I nderuar Z. Vaccaro,
Të nderuar të pranishëm,

 
Është theksuar shpesh se sfida kundër trafikut të qënieve njerëzore përballohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit institucional. Ndoshta mund të jetë dukur edhe si një përsëritje e kësaj fraze, në kohë të ndryshme, apo mund të jetë konsideruar edhe si një formë për të shmangur me delikatesë përgjegjësitë individuale të çdo institucioni të përfshirë në këtë proces shumë të rëndësishëm sa penal, aq dhe social.
Por, sot duam që të ndajmë me ju një konstatim tjetër tejet pozitiv. Seria e takimeve të organizuara me qëllim anti-trafikun e qënieve njerëzore duket se ka dhënë efektet e saj.
Gjatë muajve të parë të vitit 2014, vërehet një intensitet në rritje i rasteve të raportuara dhe të hetuara lidhur me këtë vepër të rëndë penale. Angazhimi më i madh i institucioneve publike, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat joqeveritare ka rritur ndërgjegjësimin e të dëmtuarve nga këto vepra për të bashkëpunuar me autoritetet shtetërore.
Aktualisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila është struktura përgjegjëse që ka kompetencën lëndore për të hetuar këtë lloj vepre penale, në koordimin dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit, po kryejnë hetime të zgjeruara në disa drejtime.
Duke ruajtur publikimin e elementëve të hetimit, mund t’ju themi se po punohet intensivisht për të goditur personat dhe grupet e personave që dyshohet se ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në këtë fushë, të cilët ndër të tjarash kanë krijuar pasuri të mëdha me burim kriminal.
Nga ana tjetër, organi i prokurorisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë forcimit të kapaciteve njerëzore dhe trajnimit të stafit të tij për të reaguar kundër trafikut të qënieve njerëzore. Prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore janë pjesë aktive e kurseve të avancuara për hetimin e këtyre veprave. Dhe për këtë, falenderojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për ndihmesën serioze dhe të vazhdueshme që kanë ofruar.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi me organizmat joqeveritarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave të trafikut të qënieve njerëzore.
Stafi i Prokurorit të Përgjithshëm po finalizon një projekt për të formalizuar raportet me shoqërinë civile, me qëllim mbështetjen që u duhet dhënë personave të dëmtuar nga trafikimi. Është për t’u vlerësuar pozitivisht fakti se edhe nga ana e organizmave jo qeveritarë kemi gjetur mbështetje të plotë për nismën tonë.
Takime si ky i sotmi janë një mënyrë e mirë për të diskutuar praktikat dhe mënyrat se si mund të përmirësohet goditja kundër trafikimit të qënieve njerëzore.
Ne gjykojmë se këto hapa do të forcojnë ndjeshëm performancën e institucioneve të zbatimit të ligjit në luftën kundër kësaj forme të trafikut. Por, mbi të gjitha e më kryesorja, do të ndikojnë pozitivisht sa i përket mbrojtjes dhe kthimit në jetën normale të viktimave të këtij trafikimi.
 
Ju faleminderit për vëmendjen!


Tiranë më 11.03.2014