Njoftime për Shtyp

Antikorrupsioni, 11 institucione diskutojnë në terma konkretë

Me iniciativë të Prokurorit të Përgjithshëm dhe me mbështetjen e Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Financave, drejtuesit e institucioneve kryesore në luftën kundër korrupsionit, paraqitën mundësitë për përballimin e kësaj sfide kombëtare.

Në një takim të iniciuar nga Prokurori i Përgjithshëm, në bashkëpunim me Ministrin e Brendshëm, drejtuesit e institucioneve kryesore që janë përgjegjës për luftën kundër korrupsionit, diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit për hetimet proaktive.

Në këtë bisedë të zgjeruar, ku u diskutua mbi masat konkrete për përballimin e sfidës së përbashkët kundër korrupsionit, morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri; Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Artan Didi; Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Visho Ajazi Lika; Drejtori i Hetimit Tatimor, z. Ahmet Prençi; Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, znj. Elisa Spiropali; Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Artur Zoto; Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Gent Gazheli; Kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, znj. Dallëndyshe Bici; Kryeinspektori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, z. Arben Seferi, si edhe përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, u shpreh se “të gjithë e kemi të qartë që antikorrupsioni është sfidë kombëtare dhe institucionet tona kanë përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për ta përballuar. Për prokurorinë shqiptare, ky takim shërben për të rikonfirmuar vullnetin e përbashkët në luftën kundër korrupsionit”.

Duke prezantuar vizionin e Prokurorisë së Përgjithshme për vijimin dhe forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit, z. Llalla u shpreh: “Duhet të theksojmë se nga të gjithë institucionet ka një rritje të ndjeshme të materialeve referuese në Prokurori. Kjo dëshmon për rritje të ndërgjegjësimit të institucioneve për të evidentuar rastet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në serinë e gjatë të referimeve, natyrisht ka materiale cilësorë, hetimi i të cilave ka përfunduar ose është në fazë përfundimi.

Nga ana tjetër, ka edhe materiale, të cilat nuk plotësojnë elementët procedurialë për të nisur një hetim, materiale këto që ndikojnë në rritjen fiktive të punës së prokurorëve. Prokuroria vlerëson se është e domosdoshme në këtë fazë paraprake, diskutimi fillestar për cilësinë e informacionit. Për këtë arsye, ne e kemi shprehur dhe po e rikonfirmojmë edhe sot se jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë për çdo institucion në përgatitjen e materialeve kallëzuese. Natyrisht, prokuroria nuk synon të cënojë inisiativën e institucioneve për të referuar material. Por e shohim tepër të nevojshme që, për informacione, në të cilat nuk dallohet qartësisht shkelja penale, të diskutohet paraprakisht. Mendojmë se ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm, i cili do të ndikojë në hetimet e mëtejshme.

Po ashtu, iu është kërkuar prokurorëve që të jenë më aktivë në komunikimin gjatë fazave të hetimit me oficerët e policisë gjyqësore në institucionet që kanë struktura të tilla apo me pikat e kontaktit në agjencitë e tjera. Në vlerësimin tonë, përfshirja e drejtëpërdrejtë e oficerëve dhe pikave të kontaktit gjatë hetimit, ndihmon punën hetimore. Nga ana tjetër, komunikimi i drejtëpërdrejtë me prokurorin gjatë hetimit ndihmon edhe oficerët e institucioneve dhe pikat e kontaktit për të kuptuar më së miri se cila është rruga e duhur proceduriale për referimin e materialeve dhe ndjekjen e tyre deri sa dosja përcillet në gjykatë.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, z. Tahiri, u shpreh mbi rëndësinë e amendimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, nënshkruar në vitin 2009, ndërmjet disa institucioneve, për ngritjen dhe funksionimin e Njësive Task-Force kundër korrupsionit. Ministri i Brendshëm propozoi gjithashtu ngritjen e një grupi teknik pune, për të shqyrtuar mundësitë e hartimit të një Memorandumi Bashkëpunimi për shkëmbim të shpejtë të informacionit në raste hetimesh. Gjithashtu, z. Tahiri theksoi “se duhet ndërtuar katalogu i suksesit, për të përçuar mesazhin se askush nuk do të gëzojë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme.

Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, duke shprehur dakordësinë e tij lidhur me amendimin e Memorandumit të Bashkëpunimit dhe ngritjen e një grupi teknik pune, shprehu gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve për të forcuar hetimin proaktiv.

Në terma më konkretë, kryesisht për të dhëna në përgjithësi mbi çështje që kanë nevojë për koordinim të shpejtë ndërmjet institucioneve, diskutuan Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Visho Ajazi Lika; Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj, Elisa Spiropali, si edhe Drejtori i Përgjithshëm Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Genti Gazheli.
Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si edhe drejtuesit e INUK dhe OSHE, shprehën vullnetin e tyre maksimal për të vijuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Data 21.11.2014