Njoftime për Shtyp

Antikorrupsioni, Prokuroria, angazhim maksimal nga Njësitë Task-Force

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në tryezën e rrumbullakët të Njësive të Përbashkëta Hetimore, me praninë e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksander Arvizu


I nderuar Ambasador Arvizu
Të nderuar kolegë,

Së pari, falenderoj organizatorët për takimin e sotëm, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila është edhe promotore e krijimit të Njësive Hetimore të Përbashkëta Antikorrupsion.

Tashmë u bënë disa vite që këto struktura të specializuara po funksionojnë dhe kanë si qendër koordinimi prokurorinë dhe kontribues janë institucione të tjera të rëndësishme të shtetit. Mënyra e strukturimit e shpreh qartë se organi i hetimit ka rolin kryesor dhe më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. E megjithatë, kjo është një sfidë që nuk përballohet vetëm.

Krijimi i Njësive Task-Force ka ardhur si rezultat i këmbënguljes pozitive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet diplomatëve dhe këshilltarëve ligjorë të saj në Tiranë. Dhe qëllimi kryesor është pastrimi i administratës publike nga persona që abuzojnë me pushtetin publik. Po ashtu, partnerët tanë amerikanë kanë financuar projekte dhe trajnime për këto struktura. Natyrisht, rezultate konkrete ka pasur dhe vijon të ketë. Zyrtarë të niveleve të ndryshme janë hetuar nga këto Njësi dhe kanë marrë dënimet përkatëse nga gjykata.

Duke u fokusuar tek prokurorët e këtyre njësive, e shpreh me bindje se falë trajnimeve dhe specializimeve të shumta, tashmë kanë fituar aftësitë për të qenë drejtues të qelizave të ndryshme të institucionit. Shumë prej këtyre prokurorëve janë promovuar në pozicione të larta hierarkike. Nga pozita e Prokurorit të Përgjithshëm, kam ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme institucionale për forcimin e rolit të tyre në luftën kundër korrupsionit.

Tashmë janë ndryshuar thuajse të gjithë titullarët e Prokurorive të Rretheve ku funksionojnë edhe Njësitë Task-Force. Prej këtyre drejtuesve të rinj kam kërkuar raport të detajuar periodik mbi mënyrën se si funksionojnë strukturat antikorrupsion, të cilat janë pjesë integrale e prokurorive të rretheve dhe jo njësi të veçuara. Nga ana tjetër, u është dhënë porosi e veçantë drejtuesve të prokurorive që të mbështesin hetimet proaktive kundër korrupsionit dhe të bashkëpunojnë me çdo institucion tjetër të specializuar publik.

Në aspektin strukturor dhe organizativ, Njësitë Task-Force kanë garancitë e plota për një funksionim normal. Pranë këtyre njësive do të vijojnë të atashohen prokurorë me eksperiencë, të cilët do të ofrojnë kontributin e tyre në përmirësimin e teknikave të hetimit.

Pikërisht, nisur nga fakti se Njësitë Task-Force, nga njëra anë kanë përfituar nga ekspertiza më e mirë ndërkombëtare dhe nga ana tjetër kanë mbështetjen e drejtuesit të prokurorisë, rezervoj të drejtën të kërkoj, atë që me të drejtë kërkon edhe opinion publik, më shumë angazhim nga këto struktura. Më saktësisht, kërkoj maksimumin prej Njësive Task-Force dhe gjatë mandatit tim do të kontrolloj për rezultatet e tyre konkrete.

Publiku i gjerë është një barometër i pagabueshëm dhe institucionet publike duhet të dinë ta lexojnë drejt atë. Pikërisht, janë qytetarët ata që kanë pritshmëri të lartë nga strukturat antikorrupsion dhe ne, si prokurorë, kemi detyrimin që të plotësojmë pritshmëritë e tyre.

Të nderuar kolegë,
Duke falenderuar sërish Ambasadorin Arvizu dhe OPDAT-in për organizimin e takimit të sotëm, si edhe eksperten Rae Uds, e cila ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të drejtuar një seri trajnimesh me strukturat Task-Force këto ditë, po përfundoj duke garantuar se antikorrupsioni do të vijojë të jetë një sfidë që qëndron në vijën e parë të betejës ligjore.

Ju faleminderit!

Data: 23.09.2013