Njoftime për Shtyp

Arrest me burg për drejtuesit e komunës Rrashbull, për shpërdorim detyre


Në bazë të hetimeve paraprake të kryera nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, gjykata ka vendosur masë arresti me burg për 5 zyrtarë të komunës Rrashbull, Durrës, përfshirë kryetarin e komunës, drejtorin urbanistik dhe 3 anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ndërsa për 3 të tjerë masën “detyrim paraqitje”, të gjithë të akuzuar për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve të ndërtimit në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Nga hetimi ka rezultuar se, në të paktën 16 raste, këta zyrtarë kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në pjesën e rërës, në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë (KKRRTSH).

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në Shkurt 2014, pas një informacioni të referuar nga ana e Drejtorisë së Policisë Qarku Durrës, sipas të cilit ishte konstatuar një kat pa leje në një ndërtim te Shkëmbi i Kavajës. Më pas, nga hetimi, prokuroria arriti të zbulojë se jo vetëm kati, por i gjithë pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje të kundërligjshme. Po ashtu, u zbulua gjatë hetimit paraprak se, edhe të paktën 15 praktika të tjera të lejeve të ndërtimit, janë dhënë nga komuna Rrashbull në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim të hetimeve paraprake, prokuroria ka krijuar bindjen e arsyeshme se zyrtarët e komunës Rrashbull kanë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për shtetasit:

1. H. Gashi, Kryetar i Komunës Rrashbull (kryetar i KRRT) - arrest me burg
2. V. Ndreka, Drejtues i Njësisë së Urbanistikës – arrest me burg
3. VasiV.l Gjoni, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg
4. I. Hamiti, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg
5. S. Troci, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg
6. E. Theollari, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitje
7. N. Isufi, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull - detyrim paraqitje
8. F. Aliaj, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull - detyrim paraqitje

 

Data 12.07.2014