Njoftime për Shtyp

Arrestime për trafik kokaine dhe heroine në Shqipëri e Kosovë

Pas një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrit të zbulohej një rrjet kriminal, i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Arrestohen 3 persona në Shqipëri dhe 3 në Kosovë.


Pas një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal, u arrit të zbulohej një rrjet që merret me trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë edhe ato të llojit të rëndë, si heroinë dhe kokainë, si edhe u arrestuan tre persona, dy prej të cilëve në Shqipëri dhe një në Kosovë. Ndërkohë një person, i konsideruar kyç në këtë grup kriminal, është shpallur në kërkim.

Nga hetimi, ka rezultuar se disa shtetas shqiptarë me banim në rrethet Kurbin, Tiranë, etj., kanë bashkëpunuar me shtetas të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë në drejtim të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine-Kosovë-Shqipëri, e më pas për në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë informacion për veprimet që do të realizonte ky grup kriminal dhe në orët e para të ditës së mërkurë (dt.12.06.2014) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërhyrë për sekuestrimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e personave të përfshirë në të.

Nga bashkëpunimi ndërmjet strukturave është bërë e mundur arrestimi i shtetasit R. Hysolli në pikën kufitare të Morinës, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan rreth 7 kilogramë kokainë.
Më pas, operacioni ka vijuar gjatë ditës së Mërkurë (12.06.2014) në zonën e Fushë-Kuqes, Mamurras, në shtëpinë e shtetasit K. Çela ku është arrestuar ky i fundit. Në këtë banesë u sekuestruan;

-15 (pesëmbëdhjetë) kg lëndë narkotike të llojit “heroinë”;
-Mbi 100 kg lëndë narkotike të llojit “Cannabis sattiva“;
-12 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, si pistoleta, automatikë, snjapër, si dhe një sasi fishekësh luftarak. etj.;
-Paisje për stampim lëndë narkotike të llojit “cannabis sattiva“, pasije për përzierje të lëndëve narkotike heroinë, kokainë, etj. ;
-Sasi e konsiderueshme mbi 200 kg “arsenik“ që shërben si prekusor për lëndën narkotike të llojit “kokainë“;
-Disa autovetura të markave të ndryshme, etj.
-Një sasi prej 143 mijë eurosh, disa sende me vlerë si ora dore, bizhuteri, etj,

Ndërkohë, në Kosovë është bërë e mundur që këtij grupi kriminal t`i sekuestrohet në të njëjtën kohë edhe 18.2 kg lëndë narkotike të llojit “kokainë“, si edhe një laborator për prodhimin, përzierjen dhe paketimin e lëndës narkotike të llojit “kokainë“. Nga autoritetet kosovare u ndaluan edhe 4 (katër) persona, ndër të cilët një është shtetasja shqiptare V.Tufina, e arrestuar për llogari të Prokurorisë për Krime të Rënda të Shqipërisë.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi G. Ç, i cili konsiderohet një person me rol kyç në këtë grup kriminal.

Data 12.06.2014