Njoftime për Shtyp

Autoritetet policore daneze, vlerësim pozitiv për Prokurorinë Shqiptare

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, diskuton me zyrtarë të lartë të Policisë së Mbretërisë së Danimarkës lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar.


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, mori vlerësime pozitive nga zyrtarët e lartë të Policisë së Mbretërisë së Danimarkës, lidhur me bashkëpunimin konkret në luftën kundër krimit ndërkombëtar, ku janë përfshirë shtetasit shqiptarë.

Në takimin e zhvilluar ditën e Enjte (24.04.2014), z. Llalla diskutoi mbi forcimin e raporteve me z. Jens Henrik Hojbjerg, Komisioner Kombëtar i Policisë Daneze (Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Daneze); z. Michael Ask, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Hetimit Kriminal të Policisë Daneze; z. Erik Langhoff, Shef i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Daneze; dhe z. Ole Drost, Oficer Kontakti i Vendeve Nordike në Tiranë.

Prokurori i Përgjithshëm u prezantoi zyrtarëve nga Danimarka angazhimin e institucionit në përmbushje të prioriteteve të vendosura nga Komisioni Europian për integrimin e Shqipërisë. Gjithashtu, z. Llalla shprehu edhe garancitë e Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me autoritetet daneze për hetimin e përbashkët të rasteve ku dyshohet se shtetas shqiptarë përfshihen në veprimtari kriminale.

Zyrtarët e lartë danezë të Policisë, nga ana e tyre, shprehën gatishmërinë e tyre për ofrimin e asistencës ndaj prokurorisë shqiptare në përmbushje të prioriteteve institucionale. Po ashtu, bashkëbiseduesit u shprehën se angazhimi i prokurorisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar ka përcjellë sinjale pozitive tek autoritetet homologe për rolin e agjencive shqiptare në drejtim të luftës ndërkombëtare kundër veprimtarive kriminale.

 

Data 24.04.2014