Njoftime për Shtyp

Bashkëpunimi prokurori-polici, kemi ende për të përmirësuar”

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, përshëndet takimin për Analizën Vjetore të Policisë së Shtetit për vitin 2013


I nderuar Ministër i Brendshëm,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë
I nderuar z. Avokati i Popullit,
Të nderuar kolegë dhe të pranishëm

Së pari, Ju falenderoj për ftesën dhe shpreh vlerësimet pozitive për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet organit të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit.
Gjatë vitit 2013, së bashku jemi përballur me situata të vështira kriminale, të cilat jemi angazhuar për t’i zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë dhe për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në Shqipëri.
Të gjithë jemi të bindur se kriminaliteti në vendin tonë ka njohur sofistikime, të cilat e vendosin Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë përpara sfidave të reja. Gjithësesi, ajo që ne bashkë duhet të arrijmë, është që të forcojmë strukturat bashkëpunuese, për të qenë më të suksesshëm në luftën kundër personave dhe grupeve që synojnë të sfidojnë autoritetin e ligjit.

Nga ana tjetër, duhet të përmirësojmë teknikat e hetimit dhe për këtë mendoj se kemi ende për të bërë. Ekziston një vullnet i përbashkët për të realizuar këtë synim madhor dhe jemi të bindur se sinjalet pozitive do të shndërrohen në strategji të mirëfillta komunikimi dhe veprimi.
Natyrisht, ne duhet të pranojmë edhe të metat, të cilat na kanë shoqëruar gjatë vitit që kaloi dhe që duhet të na shërbejnë për të ecur më përpara gjatë periudhës në vijim.

Puna e Policisë dhe e Prokurorisë janë të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe, themeli ynë është pikërisht informacioni për ngjarjet kriminale, të cilat përcaktojnë edhe rrjedhën e mëtejshme të hetimit. Ajo që konstatohet është se komunikimi në kohë reale ekziston në strukturat më të larta drejtuese të dy institucioneve tona, por zbehet në nivelet e tjera. Kur, logjika institucionale e kërkon që të ndodh e anasjellta. Është më e nevojshme që të shqyrtohet informacioni paraprak ndërmjet strukturave lokale të policisë dhe prokurorisë, se sa ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Brendshëm. Natyrisht, bashkëpunimi ndërmjet titullarëve të institucioneve ka dhënë frytet e saj, ku natyrisht mund të përmendim rastin e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit të shtatë personave me dënime të rënda. Gjithashtu, është normale që drejtuesit e institucioneve të vihen në dijeni të ngjarjeve që kanë impakt në opinionin publik. Por, ky shkëmbim informacioni, në radhë të parë duhet të jetë i prekshëm në zonat ku ndodhin ngjarjet kriminale, aty ku zhvillohen edhe hetimet.

Kjo është një tërheqje vëmendje, të cilën në radhë të parë ua kam përcjellë drejtuesve të prokurorive të rretheve dhe që po ndaj edhe me ju të nderuar.
Me Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e kemi disktuar edhe më parë këtë çështje dhe kemi shprehur dakordësinë për të shtuar kërkesën e llogarisë për komunikimin në kohë reale ndërmjet strukturave tona, me qëllim goditjen e kriminalitetit që në momentet e para kur ndodh ngjarja.

Po ashtu, nisur edhe nga prania e Avokatit të Popullit, ju bëjmë me dije se gjatë periudhës në vijim, në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë së Brendshme, do të realizohen kontrolle për ligjshmërinë e veprimeve të oficerëve të policisë gjyqësore. Nëpërmjet bashkëpunimit institucional, po punojmë për të forcuar efikasitetin e Komisioneve të Disiplinës, të cilat janë njësi të posaçme që verifikojnë veprimtarinë e oficerëve të policisë gjyqësore.

Po ashtu, një fokus të veçantë ekziston edhe për trajtimin e personave të dyshuar që mbahen në komisariate dhe në ambjentet e paraburgimit. Është një shqetësim i vazhdueshëm për probleme me respektimin e të drejtave të njeriut në vendet ku mbahen të izoluar personat e dyshuar për veprime kriminale. Kjo është një çështje, e cila me të drejtë u shtrua pak ditë më parë edhe në raportin e Komisionerit Europian për të Drejtat e Njeriut. Autoritetet shqiptare janë të detyruara të zbatojnë rekomandimet e Brukselit, i cili përbën stacionin më të rëndësishëm të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, me të drejtë partnerët tanë ndërkombëtarë ngrejnë çështje që kërkojnë zgjidhje nga institucionet shqiptare, ku përmendet gjerësisht rasti “21 Janari”. Kjo çëshje komplekse ka disa dimensione;
Së pari, një pjesë e hetimit, ajo që ka të akuzuar konkret, tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë;

Së dyti, për personat e akuzuar si organizatorë të protestës së “21 Janarit” është pushuar çështja, për shkak të amnistisë së vitit 2012.
Së treti, ajo që është pjesa më e rëndësishme në këtë diskutim, janë faktet ende të pazbardhura për njërën prej vrasjeve dhe veprimet arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve. Siç jeni në dijeni, për zbardhjen e këtyre elementëve të hetimit ka një angazhim të Prokurorisë së Përgjithshme. Pak javë më parë janë zhvilluar analiza të detajuara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, të cilat janë karakterizuar nga vullneti i përbashkët për të arritur në përgjegjës konkretë. Organi i Prokurorisë, krahas hetimeve të saj, ka lënë edhe detyra konkrete për strukturat e policisë gjyqësore për zbardhjen e të gjithë veprimeve antiligjore. Duhet të theksoj se hetimi është gjithëpërfshirës, ku përfshihen edhe ato pikëpyetje, për të cilat ka ndjeshmëri të lartë në media dhe në opinionin publik. 

Të nderuar kolegë,

Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë një përgjegjësi të madhe përpara qytetarëve dhe puna jonë është ajo që diskutohet më shumë. Me të drejtë, publiku kërkon maksimunim nga ana jonë dhe ne do të vijojmë të forcojmë strukturat dhe shtetin ligjor. Krahas qëndrimeve deklarative, garantoj se Prokuroria do të vijojë të jetë institucioni kryesor mbështetës në punën e Policisë së Shtetit me veprime konkrete.

Ju faleminderit për vëmendjen

 

Data 20.01.2014