Njoftime për Shtyp

Ekspertë francezë trajnojnë prokurorët shqiptarë për hetimin e pastrimit të parave

Prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore shqiptarë diskutuan mbi teknikat më të fundit për hetimin e rasteve të pastrimit të parave, me ekspertë të TRACFIN, e cila ësht zyra e posaçme për luftën kundër krimit financiar e Republikës së Francës, gjatë një seminari 3-ditor të zhvilluar në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në përfundim të seancave trajnuese, në të cilat referuan drejtori i TRACFIN, z. Jean-Baptiste Carpentier dhe magjistrati francez, z. Aurelien Letocart, drejtues të institucioneve publike shqiptare dhe Ambasadori i Republikës së Francës, z. Bernard Fitoussi, theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe trajnimit për këtë lloj kriminaliteti specifik.

Drejtori i Kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Gilbert Galanxhi, në konkluzionet e trajnimit, u shpreh se Prokuroria Shqiptare e ka përcaktuar si prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me pastrimin e parave. Duke huazuar një shprehje të njohur amerikane, ai theksoi se deviza e prokurorisë shqiptare është pikërisht “follow the money” (e shqipëruar, “heto lëvizjen e parave”).

Ambasadori francez, z. Fitoussi u shpreh se asnjë vend nuk është i imunizuar nga korrupsioni dhe pastrimi i parave. Por, ajo që dallon vendet është vullneti dhe mekanizmat për të luftuar pastrimin e parave. Në këtë kuadër, ai vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të Prokurorisë Shqiptare në veçanti dhe tee shtetit shtetit shqiptar në përgjithësi, në luftën kundër korrupsionit, si edhe shprehu angazhimin maksimal të Francës për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në detyrë, z. Haki Çako, bëri një prezantim të përmbledhur të rolit të policisë në hetimin e përbashkët me prokurorinë për çështje të pastrimit të parave dhe korrupsionit, në të cilën evidentoi faktin se konstatohet një bashkëpunim gjithnjë e në rritje për të goditur rastet e tilla.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Genti Gazheli, duke vijuar në linjën e bashkëpunimit ndërinstitucional kombëtar dhe ndërkombëtar, u shpreh se është rritur ndjeshëm numri i rasteve të evidentuara dhe janë referuar në Policinë e Shtetit çështje, të cilat kanë nevojë për një hetim të thelluar.

Trajnimi 3-ditor, i organizuar me ndërmjetësinë e Ambasadës Franceze, kishte si qëllim kryesor që magjistratët shqiptarë të kenë një vizion të këtyre procedurave për hetimin e pastrimit të parave, sikurse ato zhvillohen në Francë.

Ky takim përbën edhe modulin e fundit të ciklit të trajnimeve me temë “Luftën kundër pastrimit të parave”, i nisur në vitin 2013 dhe është pjesë e organizimeve në kuadër të bashkëpunimit teknik dypalësh.