Njoftime për Shtyp

FBI dhe Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Çertifikatë Mirënjohje për prokurorinë shqiptare

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Teksasit z. John Bales dhe Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit, z. James B. Comey, shprehin vlerësimet për ndihmesën që autoritetet shqiptare u kanë ofruar për dënimin e një shtetasi shqiptaro-amerikan, i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash


Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. John Bales dhe Drejtori i Përgjithshëm i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), z. James B.Comey, kanë dhënë Çertifikatë Mirënjohjeje për Drejtorin e Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Adnan Xholi, nisur nga ndihmesa konkrete që iu është ofruar autoriteteve amerikane për zgjidhjen e një çështje trafikimi lëndësh narkotike dhe pastrimit parash, ku ishte i përfshirë edhe një shtetas shqiptaro-amerikan.
Në ceremoninë e dorëzimit të Çertifikatës së Mirënjohjes nga ana e përfaqësuesit të FBI-së për Ballkanin, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla shprehur kënaqësinë në emër të prokurorisë shqiptare që autoritetet e drejtësisë amerikane shprehin vlerësimin e lartë për prokurorinë shqiptare.

Z. Llalla u shpreh se, “në çdo rast, prokuroria shqiptare do të jetë e gatshme të ofrojë kontributin e saj dhe do të jetë bashkëpunues me autoritetet amerikane, për vënien para përgjegjësisë ligjore personat që kryejnë vepra penale”. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm shprehur vlerësimet e tij për mbështetjen e ofruar nga ana e autoriteteve amerikane për forcimin e hetimit penal në Shqipëri.
Ndërsa z. Xholi, vlerësimi ndaj të cilit iu dha nga FBI dhe Prokuroria e Teksasit për kohën kur ka ushtruar funksionet pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, u shpreh se ndihej i emocionuar për “vlerësimin që po i përcillet Prokurorisë Shqiptare dhe bashkëpunimin me autoritetet amerikane të drejtësisë”.

Çështja, për të cilën institucionet shqiptare të prokurorisë dhe policisë dhanë kontributin e tyre në shtetin e Texas-it Amerikë, mund të konsiderohet si një ndër ato kazuset që duhet të shërbejnë dhe në të ardhmen për praktikën hetimore në Shqipëri.
“Pavarësisht përvojës disa vjeçare si prokuror, ndjehem i privilegjuar që pata mundësinë të përfaqësoja prokurorinë shqiptare, dhe konstatova nga afër se çfarë do të thotë të bindësh publikun, në rastin konkret, “jurinë”, për provat e administruara në një çështje konkrete si dhe për fajësinë e një personi”, u shpreh z. Xholi.

“Ishte një përvojë e veçantë të ndodheshe i pozicionuar para gjykatës federale nga njëra anë, si dhe Jurisë nga ana tjetër (e përbërë nga një grup personash që vinin nga shtresa të ndryshme të shoqërisë), me njohuri thuajse minimale për sistemin e drejtësisë në Amerikë, të cilët pavarësisht strategjisë së avokatit mbrojtës dhe pretendimeve se klienti i tij ishte dënuar padrejtësisht në Shqipëri, arritëm që tju krijonim bindjen se në vendin tonë me gjithë problemet që kemi kaluar, ekziston një sistem drejtësie funksional, ku të pandehurve ju respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe garancitë kushtetuese për zhvillimin e një procesi të rregullt, përfundoi z. Xholi.

Çertifikata e vlerësimit u dha për zgjidhjen e një rasti, në të cilën shtetasi shqiptaro-amerikan F.Sh., i dënuar në Shqipëri për trafikim lëndësh narkotike, akuzohej edhe nga prokuroria e Teksasit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe pastrim parash. Dënimi i shtetasit në Shqipëri u përdor nga autoritetet amerikane si një e dhënë, e cila përcaktonte profilin e të pandehurit, të dyshuar për një vepër penale të tillë edhe në territorin amerikan. Në strategjinë e avokatëve mbrojtës, fakti që klienti i tyre ishte i dënuar në Shqipëri, nuk mund të përbënte argument kundër tij, pasi, sipas tyre, në Shqipëri ka problem me procedurën e hetimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Prokurori Adnan Xholi dhe shtatë oficerë të policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit, të cilët kanë hetuar të pandehurin dhe që mori dënimin nga gjykata në Shqipëri, u paraqitën në tetor 2013 para jurisë së Teksasit, në të cilën prezantuan procedurën hetimore të ndjekur për këtë rast dhe masat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Prezantimi i përfaqësuesve nga institucionet shqiptare u vlerësua nga “juria” dhe ndikoi në dhënien e dënimit nga gjykata e Teksasit për shtetasin shqiptaro-amerikan F.SH.

 

Data  10.04.2014