Njoftime për Shtyp

FJALA E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE “QASJET E REJA HETIMORE NDAJ ORGANIZATAVE KRIMINALE QË PËRDORIN INTERNETIN”

FJALA E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE “QASJET E REJA HETIMORE NDAJ ORGANIZATAVE KRIMINALE QË PËRDORIN INTERNETIN”

I nderuar President i Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve, z. Jarosh,

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Zaganjori

Të nderuar Prokurorë të Përgjithshëm,

Kolegë, miq e të ftuar

Jemi të nderuar që jeni të pranishëm në këtë Konferencë ndërkombëtare, të organizuar për herë të parë nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë.
Sot këtu me ne janë homologët tanë europianë, si edhe anëtarë të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve dhe do të diskutojmë së bashku për “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”.
Në emër të Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë ju uroj të kaloni sa më mirë në Tiranë. Për një pjesë prej të ftuarve, ndoshta është hera e parë që vizitojnë vendin tonë. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur që Ju të riktheheni sërish në Shqipëri.
Sot mes nesh janë miq të nderuar të Prokurorisë Shqiptare, me të cilët kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer. Gjithashtu kemi edhe kolegë europianë, me të cilët kemi pasur kënaqësinë që të diskutojmë çështje konkrete të krimit të organizuar ndërkombëtar në konferenca dhe takime të përbashkëta.
Shqipëria tashmë është në një fazë të rëndësishme të forcimit të sistemit penal. Në vitin 2016, ligjvënësit miratuan një prej paketave ligjore më të rëndësishme në dy dekadat e fundit-Reformën në Drejtësi. Kuadri i ri ligjor është i azhornuar me praktikat më të mira europiane. Ai synon forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit vendas, krimit të organizuar, si edhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Zoti Xhejms Hamilton, i cili është i pranishëm sot këtu, ka dhënë një kontribut të çmuar, së bashku me kolegët e tij të Komisionit të Venecias, për hartimin e një kuadri ligjor efikas për Shqipërinë.
Gjithashtu, në vendin tonë, aktualisht ka një vullnet të plotë të shprehur politik, për të luftuar krimin e organizuar dhe sidomos trafikun e narkotikëve.
Autoritetet shqiptare tashmë kanë hartuar një strategji kombëtare kundër trafikut të narkotikëve dhe zbatimi i saj, kërkon, domosdoshmërisht edhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Prokuroria Shqiptare ka një praktikë të konsoliduar bashkëpunimi me partnerët e huaj. Zoti Kataldo Mota, zyrtar i lartë prej shumë vitesh i Antimafias Italiane, i cili gjithashtu është sot i pranishëm në këtë Konferencë, ka qenë një prej nxitësve kryesorë të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në çdo vizitë që ka zhvilluar në Tiranë, zoti Mota ka kërkuar angazhimin gjithnjë e më të madh të autoriteteve shqiptare. Unë i shpreh falenderimet e mia për rolin e tij domethënës në luftën kundër krimit të organizuar rajonal.
Gjithashtu, edhe kolegë të tjerë rajonal dhe europianë janë treguar çdo herë rigoroz në bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për të luftuar sëbashku krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Prokurori Federal i Belgjikës, zoti Van Lëv, Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, zoti Akarça, si edhe zoti Lumezi, Prokuror i Shtetit i Kosovës, zoti Zvërlevzki, kryeprokuror i Maqedonisë tashmë janë ndër partnerët tanë më të ngushtë për të goditur kriminalitetin transnacional.
Natyrisht, edhe kolegët tanë nga Gjermania, Britania, Hollanda, Irlanda, Hungaria, e shumë vende të tjera kanë gjetur një partneritet serioz në Shqipëri. Dhe ky bashkëpunim i ngushtë është një vlerë e shtuar në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit ndërkombëtar.
Të nderuar kolegë,
Konferenca e Tiranës do të përqëndrohet në forcimin e mekanizmave hetimorë për organizatat dhe grupet kriminale që përdorin internetin për veprimtarinë e tyre kriminale.
Teknologjia ka përmirësuar jetën dhe shërbimin për qytetarët. Por nga ana tjetër, në duart e grupeve kriminale, ajo është shndërruar në një mjet efikas për t’iu shmangur agjencive të zbatimit të ligjit. Për këtë arsye, strukturat hetimore janë të detyruara që të realizojnë bashkëpunim shumë të ngushtë dhe shkëmbim të dhënash në kohë reale për të pasur rezultate pozitive. 
Lektorët në këtë konferencë do të sjellin praktikat e deritanishme, si edhe mekanizmat për të forcuar më tej luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.
Për këtë arsye, ne do të dëgjojmë nga ekspertët gjithçka që do të jetë e nevojshme, si edhe do të evidentojmë kapacitetet që duhen përmirësuar.
Fillimisht, kam kënaqësinë që t’i jap fjalën Kryetarit të Gjykatës së Lartë tee Shqipërisë për të përshëndetur punimet e Konferencës. Ju faleminderit për vëmendjen!