Njoftime për Shtyp
Fillon funksionimi i strukturës së anti-krimit kibernetik
Fillon funksionimin për herë të parë në prokurorinë shqiptare Sektori i Hetimit të Krimit Kibernetik. Struktura të posaçme janë ngritur në 8 prokurori rrethi, përfshirë edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Përcaktohen 18 veprat penale që do të hetohen nga këto njësi të veçanta.
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka firmosur urdhërin për “Funksionimin e Sektorit të Krimit Kibernetik”, si edhe urdhërin për ngritjen e strukturave të posaçme pranë 8 prokurorive të rretheve, përfshirë edhe Prokurorinë për Krime të Rënda, të cilat do të ndjekin këto lloj krimesh.
Në bazë të këtyre urdhërave, fillon nga funksionimi për herë të parë në Prokurorinë Shqiptare njësia e veçantë për veprat penale të krimeve kompjuterike, si edhe të tjera që lidhen me to. Ky lloj hetimi do të realizohet, fillimisht, edhe në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë, Shkodër
Për të diskutuar mbi fenomenin e krimit kompjuterik dhe tendeca e tij, në kuadër edhe të krijimit të strukturave të specializuara, Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me Misionin PAMECA organizuan të Martën (dt.10.06.2014) një seminar trajnimi me lektorë të specializuar shqiptarë dhe italianë.
Koncepti i krimit kompjuterik (cybercrime) që është përpunuar nga prokuroria shqiptare bazohet në Konventën e Budapestit, sipas të cilës në këto vepra penale përfshihen jo vetëm veprimet me kompjutera, por edhe ato që lidhen me ndërhyrjen në të dhëna, përfshirë ato personale në rrjetet sociale, si edhe në rrjetet e gjera teknologjike, bankare, etj.
Veprat penale të cilat do të jenë objekt i këtij sektori janë:
a) Neni 74/a i Kodit Penal “Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro
gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit”
b) Neni 84/a i Kodit Penal “Kanosja me motive racizimi dhe ksenofobie
nëpërmjet sistemit kompjuterik”
c) Neni 119/a i Kodit Penal “Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik”
d) Neni 119/b i Kodit Penal “Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik”
e) Neni 143/b i Kodit Penal “Mashtrimi kompjuterik”
f) Neni 186/a i Kodit Penal “Falsifikimi kompjuterik”
g) Neni 192/b i Kodit Penal “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”
h) Neni 293/a i Kodit Penal “Përgjimi i paligjshëm i tё dhёnave kompjuterike”
i) Neni 293/b i Kodit Penal “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”
j) Neni 293/c i Kodit Penal “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”
k) Neni 293/ç i Kodit Penal “Keqpërdorimi i pajisjeve”
Po ashtu, në objektin e veprimtarisë së sektorit do te jenë dhe veprat penale të mëposhtme kur ato kryhen nëpërmjet sistemeve kompjuterike:
a) Neni 108, paragrafi i katërt i Kodit Penal “Vepra të turpshme”
b) Neni 117 i Kodit Penal “Pornografia”
c) Neni 147 i Kodit Penal “Mashtrimi me veprat e artit e të kulturës”
d) Neni 148 i Kodit Penal “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet”
e) Neni 149 i Kodit Penal “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”
f) Neni 149/a i Kodit Penal “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”
g) Neni 149/b i Kodit Penal “Shkelja e të drejtave të topografisë së qarkut të
gjysmëpërçuesit”
Data 10.06.2014