Njoftime për Shtyp

Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së për zgjedhjet vendore

Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së për zgjedhjet vendore

Në Tiranë u zhvillua tryeza teknike “Zbatimi i ligjit për dekriminalizimin - mësimet e nxjerra dhe hapat përpara”, me praninë e Prokurorit të Përgjithshëm znj.Arta Marku, Kryetarit të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri ambasadorit Bernd Borchardt dhe Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Z.Klement Zguri.

Tematika e trajtuar ishte mbi rezultatet e zbatimit të procesit të “Dekriminalizimit”, ndryshe ligji 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu u diskutua mbi bashkëpunimin mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatimin e këtij ligji në procesin e ardhshëm të votimeve për organet e qeverisjes vendore që zhvillohen në 30 qershor 2019.

Gjatë zhvillimit të punimeve, Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku firmosi Memorandumin e Bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për “Zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes Vendore që do të zhvillohen në 30.06.2019”.
Memorandumi synon të mundësojë shkëmbimin e informacionit si dhe përdorimin bashkarisht të aplikacioneve kompjuterike për të lehtësuar që qytetarët të denoncojnë shkelje të ligjit ditën e votimeve.

Zonja Marku theksoi se memorandumi shpreh vullnetin e përbashkët institucional për të bashkëpunuar në funksion të një procesi zgjedhor në përputhje të plotë me ligjin, duke e çmuar se është “një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

“Jam e bindur, - tha Kryeprokurorja, - se ky është një hap pozitiv për procesin zgjedhor, se do t’i shërbejë këtij procesi” dhe se “mjafton që secili t’i zbatojë dhe çdo gjë është në rregull”.

Prokurori i Përgjithshëm nënvizoi se një marrëveshje e tillë e vë theksin te bashkëpunimi i shpejtë mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i informacioneve në kohën më të shpejtë të mundshme, pavarësisht detyrimeve ligjore që secili prej palëve i njeh mirë.

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm znj.Arta Marku:

I nderuar Z. Boshard,
I nderuar Z. Zguri,
Të nderuar pjesëmarrës!

Siç edhe u citua nga parafolësit, përveç të tjerave, sot jemi këtu, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme, kanë rënë dakord për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, që do të zhvillohen më dt.30.06.2019.

Dikush apo shumëkush mund të mendojë: ç'është kjo marrëveshje? Secili prej këtyre institucioneve ka detyrimet e veta ligjore dhe mjafton që secili t'i zbatojë këto detyrime dhe çdo gjë është në rregull.

Por, pavarësisht kësaj, ne kemi menduar që një marrëveshje të tillë e vë theksin te bashkëpunimi i shpejtë mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i informacioneve në kohën më të shpejtë të mundshme, pavarësisht detyrimeve ligjore që secili prej nesh i njeh mirë.

Një marrëveshje e tillë thekson dhe një herë vullnetin e përbashkët institucional për të bashkëpunuar në funksion të një procesi zgjedhor në përputhje të plotë me ligjin, një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Personalisht e shoh si një hap shumë pozitiv në funksion të procesit zgjedhor dhe jam e bindur që do t’i shërbejë procesit.

Ju faleminderit!
 

Kliko këtu për të parë memorandumin