Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Durrës

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Durrës

Të nderuar kolegë,
të nderuar të ftuar!

Është shumë e rëndësishme që jemi mbledhur këtu sot për të diskutuar arritjet dhe problematikat e një pune të gjatë dhe të lodhshme njëvjeçare në rrethe, të cilat bartin një peshë të madhe të kriminalitetit në shkallë vendi.

Ju keni punuar dhe unë ju përgëzoj dhe ju falenderoj për këtë!
Por, në këtë moment unë nuk do të fokusohem tek arritjet apo te puna e mirë. Më duhet t’ju them se gjatë këtij viti janë konstatuar shumë probleme gjatë ushtrimit të funksioneve nga prokurorët, një pjesë pas ankesave të qytetarëve direkt te Prokurori i Përgjithshëm dhe një pjesë pas ankesave të qytetarëve në media dhe shfaqjes së problemeve të tyre në emisione të ndryshme investigative.

Me të drejtë qytetarët kanë pritur që Prokurori i Përgjithshëm të ndërhyjë dhe mosndërhyrja sipas konceptit të tyre, është trajtuar mediatikisht, me komente të shumta denigruese.
Por, duke përfituar nga ky moment, do të sqaroj një herë e mirë të gjithë ata që nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm në këto raste.

Është e vërtetë se sipas dispozitës kalimtare deri në zgjedhjen e Inspektorit të të Lartë të Drejtësisë, që është autoriteti i vetëm që sipas ligjeve të reja të reformës në Drejtësi, mbikëqyr magjistratët nga ana disiplinore, Prokurori i Përgjithshëm ka kompetencë që të bëjë hetimin disiplinor të prokurorëve pas ankesave apo pas konstatimit të shkeljeve kryesisht. Por, dispozita kalimtare nuk i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën që të vazhdojë fazën e dytë të një procesi dispilinor, atë të procedimit disiplinor.

Pra të gjitha rastet e ankesave janë verifikuar, është bërë hetimi disiplinor dhe më pas procedura është ndërprerë në mungesë të kompetencës dhe në kushtet kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është zgjedhur ende, çështjet kanë mbetur pezull.
Por, ekziston edhe një problem tjetër. Edhe nëse do të kishte Inspektor të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur, përsëri nuk do të kishte procedime disiplinore për magjistratët.

Siç e dini, Gjykata Kushtetuese me një vendim të vitit 2017 ka shfuqizuar si në kundërshtim me Kushtetutën të gjitha parashikimet ligjore që përcaktonin se, cilat sjellje apo veprime të magjistratëve përbënin shkelje disiplinore dhe çfarë shkelje konkretisht.
Pra, askush, me një logjikë të shëndoshë nuk mund të pretendojë që Prokurori i Përgjithshëm të dërgojë në Këshillin e Lartë të Prokuorisë, prokurorë për t’u marrë masë disiplinore ndaj tyre kur në fakt, përveç mungesës së kompetencës për të përfunduar të gjitha fazat e procesit disiplinor, nuk ekzistojnë në ligj vetë masat.

Në kushtet, në të cilat operon aktualisht sistemi i drejtësisë, kur prokurorët janë plotësisht të pavarur dhe i zgjidhin çështjet pa pasur ndërhyrje apo orientim nga askush, funksionimi i mekanizmave disiplinorë është i domosdoshëm, jetik. Në mungesë të këtyre mekanizmave, pavarësia nuk është asgjë tjetër veçse një mundësi e artë për të abuzuar në kurriz të qytetarëe dhe një mundësi për cenim të vazhdueshëm të imazhit të sistemin të drejtësisë.

Prandaj, i bëj thirrje Kuvendit të miratojë sa më shpejt të jetë e mundur ndryshimet ligjore si rezultat i vakuumit që krijoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke përcaktuar me detaje se, cilat sjellje të magjistratëve përbëjnë shkelje disiplinore dhe llojet e shkeljeve.
Po kështu i bëj thirrje Kuvendit që të plotësojë dispozitën kalimtare që përcakton kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorëve të KLD-së me qëllim që përveç hetimit disiplinor, të kenë detyrimin për të bërë edhe procedimin dispilinor dhe të shkojnë me propozime konkrete për masa disiplinore për magjistratët te Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

E kërkoj këtë, pasi pavarësisht se ka filluar procedura për zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kjo kërkon kohën e saj dhe në varësi të kandidaturave nga jashtë apo nga brenda sistemit, mund të zgjasë disa muaj.
Por, edhe një ditë është shumë për të lënë një sistem të tërë drejtësie pa kontroll.

Për ta mbyllur, thirrja për paraqitjen e interesit për Inspektor të Lartë të Drejtësisë është e hapur. Inkurajoj çdo koleg apo kolege, që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj, që të aplikojë, me qëllim që të ketë garë të vërtetë dhe mundësi më të mëdha për përzgjedhje sa më cilësore.
Ju faleminderit!