Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Korçë

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Korçë

Të gjithë e dini që ka qenë një vit i gjatë, shumë i ngarkuar pune, me ngjarje. Keni parë ikjen e kolegëve dhe natyrisht kjo ju ka bërë të pamotivuar.

Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se në këto rrethana do të na duhet të punojmë edhe për shumë kohë dhe vetëm sa do të vijë duke u ngarkuar. Por, rezultatet kërkohen pavarësisht rrethanave.
Unë do t’u sugjeroja të tregoheni sa më praktikë, të aplikoni institutet e reja që janë futur në Kodin e Procedurës Penale, qoftë Urdhrin Penal, qoftë zgjidhjen e çështjes me marrëveshje, qoftë gjykimin e drejtpërdrejtë, që për hir të së vërtetës në të gjitha rrethet kishte rënë goxha si numër.

Në fakt është shumë mirë që në rastet e arrestimeve në flagrancë, prokurorët të procedojnë me këtë lloj forme sepse shmang atë kohën e mbajtjes së një çështjeje në ngarkim. Pra, ul ngarkesën e panevojshme.

Duke qenë se jeni të pavarur në ushtrimin e funksioneve tuaja unë do t’u kërkoja që të jeni të kujdesshëm në çdo vendimmarrje.
Të krijoni një praktikë tuajën në çështjet e ngjashme, që t’i zgjidhni pak a shumë në të njejtën mënyrë dhe në këtë formë do të mbroni edhe veten, edhe punën tuaj.

Çdo gjë do të jetë objekt kontrolli në një moment të mëvonshëm kur institucionet e reja që mungojnë do të krijohen. Kështu që vetëm këtë do t’u kërkoja, të jeni të kujdesshëm.
Nuk dua të zgjatem shumë sepse kohën e keni shumë të ngarkuar shumë të çmuar. Unë do t’u uroja suksese në vitin në vazhdim dhe suksese në kalimin e “Vetting”-ut.

Suksese!