Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Shkodër

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Shkodër

Viti që shkoi nuk ka qenë i lehtë për prokurorët tashmë të përfshirë në procesin e "Vetingut".  Kjo ka shtuar pasigurinë dhe ka ndikuar në punën tuaj por unë ju siguroj mbështetje të plotë.

Do të kërkoja prej jush që të mos e shikoni procesin e "Vetingut" si ndëshkim, por si mundësi për rikthimin e dinjitetit. Vazhdoni të punoni dhe keni gjithë mbështetjen time institucionale dhe personale. Po kështu keni mbështetjen e faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Politika i ka dhënë vetes të drejtë që të gjykojë çdo çështje që mund të ketë prekur interesat e saj, pa patur dëshirë dhe vullnet për të pritur, për të lejuar prokurorët të bëjnë punën e tyre.
Duke marrë shkas nga përfolja që politika i ka bërë prokurorisë, të njëjtën gjë ka bërë edhe opinioni publik edhe media. Por, pavarësisht kësaj ju ia keni dalë.

Pavarësi do të thotë përgjegjësi e shtuar, pavarësi nuk do të thotë kaos, ku secili të interpretojë ligjin sipas interesit.
Pavarësi do të thotë ushtrimi i funksioneve, të pavarur nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e jashtme. Keni mundësinë që të pandikuar nga askush të jepni më të mirën në çdo vendimmarrje.