Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Tiranë

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Tiranë

Të nderuar kolegë
Të nderuar të ftuar

Sot jemi këtu për të analizuar punën e një viti, në të gjitha prokuroritë që ushtrojnë funksionet e tyre në territorin që mbulon Prokurorinë e Apelit Tiranë. Konkretisht, Prokuroria e Shkallës së parë Tiranë, Prokuroria e Shkallës së parë Kurbin, Prokuroria e Shkallës së parë Krujë, si edhe Prokuroria e Apelit Tiranë.
Në të gjitha këto prokurori, ngarkesa e punës për çdo prokuror ka qenë shumë e madhe. Përgjithësisht keni punuar shumë dhe unë ju falenderoj për këtë.

Problematikat kanë qenë të njëjta, pothuajse në çdo prokurori, por do të doja të fokusohesha pak më tepër në Prokurorinë e Tiranës. Është prokuroria më e madhe në vend, për shkak të territorit që mbulon dhe numrit të madh të popullsisë në këtë territor. Numri i çështjeve për prokuror është më i lartë se në çdo rreth tjetër. Por, mesa duket, kjo ngarkesë e madhe, ka ulur ndjeshëm cilësinë dhe efektivitietin e punës në këtë prokurori.

Ju nuk jeni përqenderuar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe mund të thuhet se në pak raste, ndonjë prej tyre ka përfunduar me ngritje akuzash dhe dërgim për gjykim.
Janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara në hetimin e çështjeve. Ka çështje të rëndësishme që rrinë prej vitesh në sirtarët e prokurorëve, me një mungesë të theksuar përgjegjësie. Këto konstatime janë bërë pas ankesave të qytetarëve tek Prokurori i Përgjithshëm.

Për veprën penale të Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale, ka shumë pak çështje penale të regjistruara dhe aq më pak që të kenë përfunduar me ngritje akuzash dhe dërgim për gjykim. Kjo situatë nuk i përgigjet aspak realitetit dhe në fakt, është një nga pikat e dobëta dhe për të cilat Shqipëria ka marrë kritika nga Komiteti Moneyval dhe mund të penalizohet. Ka pak hetime dhe jo të suksesshme për këtë vepër penale.

Për këto raste dhe për çdo problematikë tjetër të konstatuar, përgjegjësia e secilit prej jush është individuale por pasojat e vërteta rëndojnë tek qytetarët dhe më gjerë.
Të nderuar kolegë,
Kërkoj prej jush që të vazhdoni të punoni duke i kushtuar rëndësinë e duhur çdo çështjeje dhe kryerjen e veprimeve hetimore në kohën më të shpejtë të mundshme në të gjitha çështjet ku vemendja e opinionit publik është e shtuar. Nëse veprohet shpejt, nuk u lihet hapësirë spekulimeve.

Kërkoj prej jush që të bëni kujdes me deklaratat publike për çështje të caktuara, pasi rrezikoni të anashkaloni funksionin tuaj primar, atë të ndjekjes penale. Prokuroria nuk mund dhe nuk duhet ti përgjigjet me deklarata çdo ngacmimi që vjen nga politika. Përgjigja e duhur është nëpërmjet ushtrimit të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, zgjidhjes së çështjeve në një kohë të arsyeshme dhe me profesionalizëm.

Ushtroni  funksionet tuaja në pavarësi  të plotë, larg çdo ndikimi, por duke krijuar praktikat tuaja të njëjta në raste të ngjashëm. Vetëm kështu nuk do të jenë të paragjykuara.
Për ta mbyllur, ju uroj suksese!

Faleminderit!