Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Vlorë

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit Vlore

Është momenti që të analizojmë se çfarë kemi bërë mirë, çfarë kemi bërë më pak mirë apo çfarë nuk kemi bërë fare. Çfarë mund të pranohet pa asnjë lloj dyshimi është nagarkesa juaj shumë e madhe në punë.

Por, dua që të dini se një ngarkesë e tillë ka shoqëruar çdo prokuror në çdo cep të Shqipërisë.
Është e vërtetë se ngarkesa sado fiktive të jetë cenon cilësinë dhe efektivitetin tuaj në punë.
Pavarësisht kësaj unë, ju falenderoj për punën dhe përkushtimin. Keni bërë aq sa keni mundur.

Rrethet, në të cilat ju keni punuar ndryshojnë nga njeri-tjetri pasi niveli i kriminalitetit është më i lartë në Vlorë dhe më i ulët në Fier, Berat dhe në Lushnjë.
Ngjarjet kanë qenë nga më të dhunshmet në qytetin e Vlorës, në rrethin e Vlorës, dhe një pjesë e madhe e tyre janë ende të pazbuluara.
Me keqardhje më duhet të pranoj se kam vënë re një apati në veprime qoftë të prokurorisë, qoftë të Policisë së Shtetit kur bëhet fjalë për këto ngjarje.

Megjithatë unë nuk jam sot për të gjykuar punën e institucioneve të tjera. Por, natyrisht mund të kërkoj që të bashkëpunoni me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese që në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe deri në zbardhjen e saj natyrisht.
Asnjë institucion nuk mund të punojë i vetëm dhe të ketë rezultat. Bashkëpunimi është çelësi i suksesit dhe këtë mund ta bëni, mjafton që të keni vullnet.

Ju tashmë jeni të pavarur në punën tuaj dhe shpejt do të vijë momenti që përgjegjësinë për çdo dështim do ta mbani vetë personalisht.
Është çështje kohe që disa pseudojuristë dhe pseudoanalistë të kuptojnë pavarësinë tuaj dhe të dinë se ku t’i kërkojnë përgjegjësitë, por ndërkohë ju vazhdoni të punoni të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
Unë kërkoj nga ju që të mos intimidoheni nga askush, por të punoni me përkushtim dhe me ndershmëri.
Nëse bëni kështu, suksesin e keni të garamtuar.

Faleminderit!