Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit për Krime të Rënda

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën e Prokurorive të Apelit për Krime të Rënda

Të nderuar kolegë!
Të nderuar të ftuar!

Prokuroria e Krimeve të Rënda është prokuroria më e rëndësishme në vend, siç edhe ju e dini, për shkak të kompetencës së saj lëndore.
Asnjë veprim i kësaj prokurorie nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes së opinionit publik, mediatik apo vëmendjes së politikës.
Kjo vëmendje e shtuar për hir të së vërtetës rrit presionin mbi ju dhe vështirëson punën tuaj.

Gjatë këtij viti ju keni trajtuar me sukses shumë çështje dhe unë ju përgëzoj dhe falenderoj për punën e bërë. Për, të gjitha ato raste të suksesshme që kanë qenë.
Ka qenë një vit shumë i ngarkuar viti që shkoi, por pavarësisht ngarkesës, prokurorët, disa prej jush, keni treguar se dinë të punojnë në kushtet e një presion jo të vogël shumëdimensional.
Por, gjatë këtij viti disa prokurorë të tjerë nga radhët tuaja na kanë bërë të na vijë turp që jemi prokurorë.
E kanë keqpërdorur funksionin e ndjekjes penale, duke nxjerrë informacion, dokumentacion pa dashur t'ia dinë për ruajtje të sekretit hetimor apo për parimet bazë, mbi të cilat duhet të ushtrojnë funksionin.

Duke u kujdesur të bënin këtë që nuk duhet të bënin, në fakt kanë harruar të bëjnë detyrën, të bëjnë hetime proaktive aty ku duheshin kryer.
Disa nga çështjet që keni pasur prej muajsh janë bërë tema në çdo debat televiziv, kryeartikulli i çdo medieje të shkruar dhe shumë më tepër: kanë trazuar politikën në vend.
Kushdo e  njeh këtë çështje, madje dhe me numra dhe kjo mund të jetë gjithçka, por jo një situatë normale.

Secili prej jush të nderuar kolegë, e di mirë se çfarë duhej bërë dhe nuk është bërë, se si janë mbajtur çështjet nëpër sirtarë për t’u përdorur për interesa të caktuara që ju i dini dhe i njihni mirë.
Por, interesi i secilit prej nesh i secilit ptej jush duhet të jetë hetimi dhe zbardhja e plotë e çdolloj ngjarjeje apo situate në të gjitha çështjet, të vjetra apo të reja qofshin.

Këtë duhet ta bëni me çdo kusht, me qëllim që të rivendosni dinjitetin e cënuar si dhe të bindni opinionin publik se ky është një organ kushtetues, është një organ hetimi dhe jo një supermarket ku çdo gjë ka çmim.

Më vjen keq që jua them këto fjalë pasi shumë prej jush nuk i meritojnë.
Në fillimet e saj Prokuroria për Krime të Rënda mund të them me bindje se ka qenë prokuroria më cilësore në vend.
Por, kjo cilësi ka ardhur në rënie për shkak të ndërthurjes që i është bërë punës me interesa personale nga më të ndryshmet.
Ju jeni prokurorë si gjithë të tjerët, por keni patur fatin të punoni në këtë prokurori. Ju është dhënë një mundësi e tillë. Dhe vetëm kaq!
Çdo prokuror i Republikës së Shqipërisë nëse do të kishte patur mundësinë të punonte këtu, do të kishte bërë këtë çështje që keni bërë edhe ju.

Në dispozicionin tuaj kanë qenë strukturat më të specializuara të Policisë së Shtetit dhe kjo jua ka bërë punën shumë më të lehtë se sa në çdo prokurori tjetër të Republikës.
Prandaj ju kërkoj të fokusoheni te puna. Të hetohen sa më shpejt çështjet që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë trazuar politikën në vend.

Hetimi të jetë objektiv, i pavarur dhe i gjithanshëm.
Mbani larg mediat nga hetimi! Gazetarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë pjesë e grupit hetimor, ashtu siç po i trajtoni ju.
Mos lini pas dore hetimet pasurore në zbatim të ligjit “Antimafia”, që për hir të së vërtetës lënë për të dëshiruar pavarësisht theksit që i është vënë, dhe udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm që ka dalë për këtë qëllim.

Ushtroni funksionet tuaja me kapacitet të plotë për periudhën e mbetur deri në ngritjen dhe fillimin e funksionimin e SPAK-ut.
Jua kërkoj këtë sepse krimi dhe korrupsioni duhen luftuar çdo ditë dhe nuk mund të rrimë në pritje të ngritjes së strukturave që janë projektuar për ta bërë këtë në të ardhmen.

Keni pasur dhe keni asistencën e çmuar të OPDAT-it dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme në çdo hap të punës tuaj.
Padyshim një ndihmesë të madhe në infrastrukturë dhe trajnime ju ka dhënë edhe projekti IPA dhe projekte të tjerë që operojnë në këtë periudhë.

Gjej rastin të falenderoj qoftë përfaqësuesit e OPDAT-it, qoftë përfaqësuesit e projektit IPA apo të çdo projekti tjetër që ju ka ndihmuar për ndihmën e dhënë vazhdimisht.
Falenderoj edhe një herë të gjithë ata që kanë punuar me përkushtim dhe me ndershmëri pavarësisht se fokusi ishte dhe duhet të jetë te problemet.

Ju falenderoj për vëmendjen dhe ju uroj suksese në punë dhe në procesin e “Vetting”-ut!
Faleminderit!