Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit te Pergjithshem z.Adriatik Llalla ne takimin “LUFTA KUNDER KORRUPSIONIT GJYQESOR DHE POLITIK" ne Prokurorine e Tiranes

I nderuar Shkëlqesia Juaj, Ambasador Arvizu
I nderuar Drejtuesi Prokurorisë së Tiranës, z. Kosova
Të nderuar ekspertë të Zyrës së OPDAT-it
Të nderuar kolegë të pranishëm

Sot mbërrijmë në etapën e fundit të një serie të rëndësishme trajnimesh, të ndërmarra nga Zyra e OPDAT dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e luftës kundër korrupsionit në radhët e drejtësisë dhe në përgjithësi në Shqipëri.
Shprehim mirënjohjen e thellë për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e madhe që u ka dhënë njësive Task-Force të prokurorisë, të cilat tashmë kanë krijuar një pozitë të konsoliduar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Falë mbështetjes së specializuar të OPDAT, këto Njësi të posaçme, të cilat funksionojnë Brenda prokurorive të disa rretheve gjyqësore, tashmë kanë fizionominë e strukturave pararojë për ndëshkimin e zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin publik.

Prej fillimit të punës së këtyre strukturave, në vitin 2009, vërej me kënaqësi se ka një produktivitet në rritje në funksionimin e tyre. Kjo, natyrisht është arritur falë përmirësimit të teknikave hetimore, mënyrës së marrjes së informacionit, ruajtjes së konfidencialitetit dhe fshehtësisë së hetimit. Të gjithë këto elementë, të cilët janë përcjellë nga ekspertë të huaj të fushës së antikrimit financiar, kanë ndikuar në rritjen progressive së forces goditëse të Njësive Task-Force, por edhe të prokurorisë shqiptare në përgjithësi.

Ekspertiza e pakursyer e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për prokurorët e këtyre njësive na e kthen në detyrim ne, si organ i akuzës shqiptare, që të vijojmë progresin rritës në drejtim të luftës kundër korrupsionit.
Në krye të Prokurorisë së Përgjithshme jam mandatuar për t’i dhënë një impuls më të madh sfidës antikorrupsion. Nëpërmjet strukturave Task-Force dhe natyrisht, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë ata amerikanë, jam i sigurt se kjosfidë do të jetë e realizueshme.

Shpreh bindjen e plotë se korrupsioni është pengesë e kapërcyeshme. Por kjo kërkon impenjim maksimal, zbatim korrekt të ligjit dhe, mbi të gjitha pavarësi dhe integritet të lartë profesional e moral të prokurorëve. Tashmë që edhe kufizimi I imunitetit për zyrtarët e lartë ka krijuar lehtësira të mëdha për shtrirjen e hetimit në të gjithë nivelet e funksionarëve publikë, organi I prokurorisë ka për detyrë që të përligj vullnetin e ligjvënësit për t’I forcuar pozitat institucionit të akuzës.

Trajnimet e ekspertëvetë OPDAT-it, duke përfshirë edhe serinë e atyre që përmbyllen sot në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë një bazë shumë e rëndësishme për suksesin e mëtejshëm të strukturës Task-Force.

Z. Ambasador,
Të nderuar kolegë,

Në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm shpreh mbështetjen maksimale për punën e Task-Forces dhe jap garanci maksimale se aktiviteti pozitiv I deritanishëm do të vijojë të ketë vazhdimësi dhe forcim të mëtejshëm.
Jufaleminderit!

Data 01.02.2013