Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, para trupës së prokurorëve të Republikës

 

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, para trupës së prokurorëve të Republikës

I nderuar Shkëlqesia Juaj, President i Republikës, z.Nishani
Të nderuar kolegë prokurorë
Së pari dua të falenderoj Presidentin e Republikës për vlerësimin që tregoi ndaj personit tim, duke më dekretuar në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe për faktin që sot ndodhet këtu me ne.
Falenderoj gjithë të pranishmit dhe besoj që është mënyra më e mirë për të bërë prezantimin tim të parë si Prokuror i Përgjithshëm me gjithë trupën e prokurorëve, si edhe për t’Ju njohur me disa nga prioritet e punës gjatë mandatit tim në këtë detyrë.
Gjithashtu, dua të falenderoj edhe median që është e pranishme dhe dua t’ju siguroj që institucioni i Prokurorisë do të forcojë bashkëpunimin me median për të realizuar transparencë maksimale ne vendimmarrje dhe një koordinim të vazhdueshëm, për forcimin e besimit të publikut ndaj institucionit të akuzës, si edhe për forcim e shtetit ligjor në Shqipëri.
Pak ditë më parë u publikua Raporti i Perceptimit nga organizata Transparenc Internacional, në të cilën Shqipëria rezultonte me shifra negative përsa i përket nivelit te korrupsionit. Natyrisht, një vend të rëndësishëm në këtë perceptim negativ të qytetarëve ka edhe puna e organit te Prokurorisë. Për këtë arsye, duke pranuar përgjegjësitë institucionale, do të angazhohem maksimalisht për të përmirësuar veprimtarinë e organit të akuzës. Lufta kundër korrupsionit është kryeprioriteti i mandatit tim dhe për suksesin në këtë drejtim, prokuroria do të mbështetet në të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës shoqërore, politike dhe institucionale për të forcuar rolin e institucionit në vënien e drejtësisë në vendin tonë.
Ligjvënësi shqiptar ka shprehur vullnetin unanim për kufizimin dhe heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Kjo është një ndihmesë e madhe në punën e prokurorisë, pasi institucioni ynë tashmë nuk ka asnjë pengesë për hetimin e cilido zyrtari të dyshuar si të përfshirë në akte korruptive. Eshtë detyrë e jona të justifikojmë me punë këtë shprehje besimi të Parlamentit të Shqipërisë.
Prokuroria e Përgjithshme do të ndjekë me përparësi çdo rast të dyshuar veprimtarie të paligjshme nga cilido qytetar, duke filluar që nga prokurorët. Do të rivitalizojmë ndjekjen e hetimeve kryesisht, gjë e cila do të shërbejë për të rritur rolin e institucionit në dhënien e drejtësisë. Gjithashtu, do të aplikohen standartet e komunikimit perëndimor me publikun, ku do të aktivizohen rrugët alternative të komunikimit, nëpërmjet postës elektronike apo numrat e telefonit pa pagesë, në të cilët qytetarët do të bëjnë denoncimet e tyre për pakënaqësitë që ata konstatojnë gjatë punës së prokurorisë. Kam orientuar sektorin përkatës të teknologjisë në Prokurorinë e Përgjithshme që të marra masat e menjëhershme për aktivizimin e mënyrave të komunikimit drejtëpërdrejtë me qytetarët. Këto shqetësime të publikut do të merren në kohë reale nga Prokurori i Përgjithshëm dhe ju siguroj që do të ndiqen me përparësi, duke forcuar ndjeshëm rolin e Drejtorisë së Inspektimit me staf dhe strategji të re.  Prokuroria e Përgjithshme, krahas mekanizmave ligjorë, tashmë ka në dispozicion edhe mjetet më të sofistikuara të kërkimit të provave, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe shërbime të tjera të specializuara. Pra, bazuar në këto elementë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, organi i prokurorisë do të jetë më efektiv në vetëpastrimin e strukturës. 
Në takimet e ditëve të para në pozicionin e drejtuesit të prokurorisë, jam përballur me një mungesë të theksuar besimi ndaj punës së institucionit tonë. Kjo, natyrisht, është për fajin e vetë institucionit. Konstatoj se vijojnë të ndiqet metoda pune të vjetëruara përsa i përket hetimit dhe drejtimit. Ka prokurorë që mbajnë të njëjtat funksione ose janë në të njëjtën zonë për shumë vite, duke krijuar një gjendje apatie përsa i përket ndjekjes penale. Po ashtu, konstatohet edhe rënia e besimit ndaj institucionit të akuzës edhe nga vetë prokurorët. Aktualisht, në organikën e institucionit ka prokurorë të rinj, të arsimuar nga Shkolla e Magjistraturës apo në universitete të huaja, të cilët nuk gjejnë terren për të aplikuar njohuritë e tyre. Krimi njeh dita-ditës sofistikime, të cilat kanë nevojë për reagim më të specializuar nga ana e prokurorisë për të përballuar sfidat e reja. Dhe kjo arrihet pikërisht nëpërmjet promovimit të elementëve të rinj, me bagazhin e duhur profesional, të cilët do të jenë më proaktiv në zbulimin e veprave penale të natyrave të ndryshme. Natyrisht, kjo do të thotë që institucioni i prokurorisë ka nevojë për një rifreskim të ndjeshëm, e cila do të sjellë një veprimtari më efikase në shërbim të publikut. 
Ligji i posaçëm ka përcaktuar qartë funksionimin ne mënyrë te centralizuar të piramidës në organin e Prokurorisë. Për këtë arsye, Prokurori i Përgjithshëm është përgjegjësi kryesor për forcimin e praktikës institucionale. Ky mesazh duhet kuptuar më së miri nga prokurorët e të gjitha niveleve gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Gjithashtu, suksesi i pritshëm realizohet nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional, të cilin konstatoj se nuk është në lartësinë e duhur. Mungesa e komunikimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese apo bashkëpunimi sipërfaqësor ka ndikuar negativisht në performancën institucionale dhe në përgjithësi, në krijimin e frymës së mosbesimit ndaj punës së prokurorisë. Për këtë arsye, do të nxis funksionimin e prokurorisë si një faktor koordinues, duke kryer njëkohësisht ndjekjen penale, udhëzimin e agjencive të tjera për zhvillimin e hetimeve dhe kontrollin ndaj këtyre institucioneve për mënyrën e zbatimit të detyrave të dhëna. Qëllimi është mëse i qartë; çdo institucion të marrë përgjegjësitë e tij në luftën kundër krimit, të ketë autonomi në veprimet proceduriale, por njëkohësisht të jetë i kontrolluar dhe i drejtuar nga prokuroria.
Ndërkohë, e gjej me vend të shpreh vlerësimin për mbështetjen e deritanishme të partnerëve ndërkombëtarë në aktivitetin e prokurorisë. Është një dëshirë e mirë, e shumë vendeve mike që Shqipëria të ecë e sigurt drejt forcimit të shtetit ligjor. Për këtë arsye, është detyrim i joni si punonjës të prokurorisë që të shndërrojmë besimin e tyre në rezultate të prekshme.
Të nderuar prokurorë,
Nga pozicioni i drejtuesit të institucionit, siguroj opinionin se do të jem i angazhuar maksimalisht për forcimin e besimit të publikut ndaj prokurorisë. Gjithashtu, do të kërkoj bashkëpunimin tuaj dhe të çdo qytetari për të evidentuar, zbuluar dhe ndëshkuar çdo rast shkelësi ligjor pa dallim. Së bashku, besoj se do të përballojmë sfida të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, duke synuar arritjen e standarteve të nevojshme që i takojnë një vendi aspirues për në strukturat evropiane.
Ju faleminderit!