Njoftime për Shtyp

Forcimi i drejtësisë, në rrugë të mbarë. Por ka ende punë

Në “Ditën Kombëtare të Drejtësisë”, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, theksoi në fjalën e tij, nevojën e të gjithë institucioneve ligjzbatuese të forcojnë rolin e tyre në dhënien e drejtësisë dhe të ndjekin interesin më të lartë qytetar


Të nderuar kolegë,
“Dita kombëtare e drejtësisë” tashmë është shndërruar në një ritual të përvitshëm, ku ne kthejmë kokën pas tek roli i atyre burrave që themeluan shtetin dhe shohim përpara për të përmirësuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Kjo ditë, më shumë se sa një takim ku shprehim vullnetin për bashkëpunim, na ndihmon të gjithëve si një moment reflektimi për rolin dhe përgjegjësinë që kemi para publikut shqiptar.
Çdo ditë të vitit, secili prej nesh që jemi këtu, angazhohemi që të përmbushim me korrektesë detyrimet tona kushtetuese dhe ligjore. Ndërsa në datë 10 Maj bashkohemi për të bërë një bilanc për atë që është arritur. Ajo që, besoj jemi dakord të gjithë, është fakti se e kuptojmë gjithnjë e më shumë se kemi rrugë për të bërë për forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.

Kjo është një garë që është zhvilluar gjatë dy dekadave të fundit në një terren me pengesa të shumta. Së pari, mentaliteti, i cili duhej ndryshuar rrënjësisht. Së dyti, hapja e vendit dhe kontakti me elementët pozitivë, por edhe negativë të shoqërive të tjera. Së treti, forcimi i integritetit personal dhe profesional të personave që ushtrojnë funksione në sistemin e drejtësisë.

Këto pengesa e kanë shndërruar sistemin e drejtësisë në një strukturë të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të jashtme, por edhe ndaj kompromiseve përtej frymës së ligjit. Po punohet shumë për forcimin e integritetit moral të personave që japin drejtësi. Por duhet punuar akoma më shumë në këtë drejtim për të bindur opinionin publik se jemi gjithnjë në anën e tyre. Kjo garë vijon të jetë në zhvillim, megjithëse duhet pranuar se është në progres të përhershëm.

Shqipëria është në një demokraci të re dhe natyrisht problemet kanë ekzistuar dhe janë ende të pranishme në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe Prokurorinë. Synimi ynë madhor është që të orientojmë institucionet tona në kahun e qytetarëve; në dhënien e drejtësisë ligjore.
Sot nuk është dita që të prezantojmë arritje, por të përcjellim mesazhe bindëse për opinionin publik se sfida për forcimin e drejtësisë është një rrugëtim që ne duhet ta bëjmë të gjithë bashkë.

Ju faleminderit!

Data 10.05.2014