Njoftime për Shtyp

Forcimi i kapaciteteve të prokurorëve, domosdoshmëri e vazhdueshme

Prokuroria e Përgjithshme dhe Shkolla e Magjistraturës zhvillojnë kursin e vazhdueshëm për rritjen profesionale të prokurorëve.  Seminari ka në fokus trajtimin e çështjeve që lidhen me menaxhimin e vendit të ngjarjes, përpunimin e informacionit, si edhe për aplikimin e metodave speciale të hetimit.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është shprehur gjatë kursit të trajnimit të vazhdueshëm për prokurorët se “përballë sofistikimit të metodave kriminale, kërkohet rritja e cilësisë së hetimit dhe goditjes sipas ligjit nga ana e prokurorëve”.
Për të realizuar këtë objektiv, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës po zhvillon në datat 27-28.03.2014 trajnimin mbi disa tema që përbëjnë elementët bazë për një hetim të suksesshëm. Vëmendja kryesore përqëndrohet në trajtimin e çështjeve që lidhen me menaxhimin e vendit të ngjarjes, përpunimin e informacionit, si edhe për aplikimin e metodave speciale të hetimit.
Për Prokurorin e Përgjithshëm, forcimi i kapaciteteve profesionale të prokurorëve në këtë çështje është një garanci më e madhe për rritjen e cilësisë së hetimit.
“Menaxhimi i skenës së krimit është elementi bazë që ndikon në ecurinë e mëtejshme të hetimit. Saktësimi i vendit të krimit dhe mbledhja e provave janë të lidhura ngushtë me veprimet e mëtejshme proceduriale. Prania e prokurorit në vendngjarje, sidomos në krimet e rënda, është shumë e domosdoshme. Në këtë mënyrë, prokurori krijon mundësitë reale të drejtimit të hetimit dhe të bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese”, u shpreh z. Llalla.
Më tej, z. Llalla u shpreh se “prokurori duhet të ketë aftësinë që, me marrjen e informacionit paraprake, të arrijë të vlerësojë me cilësi dhe shpejtësi pistat e mundshme të hetimit, si edhe të përmirësojë teknikat e marrjes së informacionit nga personat që kanë dijeni për ngjarjen, dëshmitarët, por edhe të pandehurit. Këto veprime sjellin rezultate konkrete në hetim”.
Ndërsa, lidhur me aplikimin e metodave speciale të hetimit, Z. Llalla u shpreh se, “në radhë të parë, ligji procedurial i ka të përcaktuara qartë mënyrën e marrjes së të dhënave me këto metoda, si edhe dhënien e autorizimit nga gjykata. Pra, është e nevojshme që prokurori të ketë aftësinë që të vlerësojë rastet se kur duhet aplikuar kjo metodë”.
Për Z. Llalla, prokurorët duhet të ketë në vemendje se, “bazuar në Konventat ndërkombëtare, metodat speciale të hetimit duhet të jenë mjeti i fundit për realizimin e qëllimit të hetimit dhe përdorimi i tyre duhet t’u përmbahet kriterere rigoroze ligjore”.
Duke përfunduar, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se, “realizimi i trajnimeve të posaçme ndikon në forcimin e njohurive të prokurorëve në këto çështje, si edhe ndikon në rritjen e performancës personale dhe institucionale.

 

Data 27.03.2014