Njoftime për Shtyp
Gjakmarrja, sfidë që duhet të përballohet nga drejtësia
Prokurori i Përgjithshëm prezanton në Shkodër objektivat për goditjen e fenomenit arkaik në prani të përfaqësuesve të institucioneve publike, Avokatit të Popullit, komuniteteve fetare dhe përfaqësuesve diplomatikë
I nderuar Avokat i Popullit,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar pjesëtarë të trupit dipmokatik,
Të nderuar drejtues të pushtetit vendor, kolegë dhe të ftuar,
Pak muaj më parë, në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, kam kërkuar nga strukturat e prokurorisë në pjesën veriore të Shqipërisë që të evidentojnë të gjitha rastet e familjeve të ngujuara për gjakmarrje, problematikat kriminale dhe kërcënimet që shoqërojnë këtë fenomen.
Tashmë, para Jush, ju bëj të ditur se prokuroria shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, institucionet vendore dhe organizatat që operojnë në këtë zonë, kemi krijuar një bazë të dhënash të rëndësishme për të gjitha rastet e familjeve të përfshira në fenomenin e gjakmarrjes.
Takimin e sotëm, të titulluar “Gjakmarrja dhe sfidat e drejtësisë” e menduan që ta organizojmë në Shkodër, në kryeqendrën e veriut të Shqipërisë, pikërisht nga aty ku duhet të nisë jo thjesht lufta kundër kësaj dukurie kriminale, por mbi të gjitha ndërgjegjësimi shoqëror për të eleminuar së bashku këtë zhvillim arkaik.
Ndryshimet e viti 2013 në ligjin penal, e kanë kaluar hetimin dhe gjykimin e rasteve të gjakmarrjes në kompetencë të Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, nisur nga vullneti i përbashkët për t’i dhënë goditje të rëndë ligjore këtij krimi specifik.
Sot nuk jemi këtu për të paraqitur statistika apo për të bërë bilance. Pasi, pavarësisht angazhimit të institucioneve të drejtësisë, është fakt që gjakmarrja ende është e pranishme dhe detyron dhjetra familje të qëndrojnë të izoluara nga frika e hakmarrjes.
Unë sot jam këtu për të shprehur vullnetin e qartë të prokurorisë shqiptare për të goditur këtë fenomen. Nga ana tjetër, këtë vullnet e shoh edhe tek prania e gjerë e përfaqësuesve të institucioneve publike, komuniteteve fetare, institucioneve lokale dhe botës akademike.
Jo pa qëllim, sot janë të pranishëm edhe drejtuesit e prokurorive të rretheve veriore të Shkodrës. Ky është një mesazh, në radhë të parë për ata:
- Puna e tyre, krahas të tjerave, do të vlerësohet kryesisht mbi forcën goditëse kundër krimit të vrasjes, e cila më pas gjeneron fenomenin e gjakmarrjes.
- Tashmë është urdhëruar rihapja e dosjeve të vjetra, pa autor, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të autorëve. Aktualisht kemi të dhëna të sakta për familjet e përfshirja në gjakmarrje. Prokurorët po angazhohen për fillimin e çështjeve penale për veprën e Kanosjes për Hakmarrje dhe Gjakmarrje në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe strukturat lokale.
- Nga ana e organit të prokurorisë është hartuar plani i gjerë masash me qëllim, zbutjen e pasojave negative të krimit të gjakmarrjes në shoqëri, të cilat nisin zbatimin brenda pak ditësh.
Të nderuar pjesëmarrës,
Duke përfituar nga prania e Avokatit të Popullit, drejtuesve të komuniteteve fetare në Shkodër dhe përfaqësues të jetës akademike të qytetit, shpreh bindjen e plotë se do të jemi në gjendje që të përcaktojmë themelet e bashkëpunimit për të kthyer qetësinë në familjet e përfshira në gjakmarrje dhe për të dëshmuar se konfliktet zgjidhen vetëm nëpërmjet organeve të drejtësisë.
Ju falenderoj që jeni bashkuar sot me ne, përfshirë edhe median që ka një rol kyç në sensibilizimin e opinionit. Një falenderim i veçantë është edhe për përfaqësuesit e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët janë të angazhuar me projekte konkrete për të ndihmuar autoritetet shqiptare në luftën kundër fenomenit të gjakmarrjes.
Besoj se të gjithë të ftuarit në panel kanë për të shprehur kontributin e tyre në këtë nismë, e cila është sa ligjore, aq edhe shoqërore.
Edhe një herë, Ju faleminderit!
Data 16.12.2013