Njoftime për Shtyp

Goditet një grup i strukturuar kriminal që vepronte në Shqipëri e Belgjikë

Prokuroria dhe Policia Shqiptare, në bashkëpunim me autoritetet belge, kanë goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për përfshirje në veprat penale të grabitjes me dhunë dhe armëmbajtje pa leje.

Pas një operacioni të gjerë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe belge, të zhvilluar gjatë ditës së sotme, u arrit të goditet një grup i strukturuar kriminal shqiptarësh që vepronin në Belgjikë, të specializuar në vjedhje dhe grabitje me dhunë. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera në Shqipëri, u arrit të gjenden prova dhe fakte të plota, të cilat u shoqëruan me arrestimin e 15 personave në Belgjikë, nga të cilët 13 shtetas shqiptarë dhe dy të huaj.

Operacioni është koordinuar ndërmjet dy vendeve dhe ndërhyrja është bërë njëkohësisht mëngjesin e sotëm në zonën e Shkodrës dhe në qytetin e Luevenit në Belgjikë.
Në kuadër të letër-porosisë së mbërritur nga autoritetet belge, Prokuroria për Krime të Rënda mori leje nga gjykata për ushtrimin e kontrollit në disa banesave dhe ambjente publike në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, të cilat ishin në pronësi të shtetasve të dyshuar dhe familjarëve të tyre.
Forcat e posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontroll, në bazë të urdhërit të gjykatës dhe kanë zbuluar:

- Rreth 150 mijë euro në gjendje kesh
- Katër armë automatike, dy pistoleta dhe një pushkë
- Rreth 50 ora të shtrenjta, si edhe bizhuteri floriri, unaza me diamantë, etj
- Tre automjete luksoze dhe dy motorrë

Menjëherë pas zbulimit të këtyre provave në Shqipëri, pas koordinimit në kohë reale me autoritetet në Belgjikë, u kryen arrestimi e 13 shtetasve shqiptarë dhe dy të huajve të tjerë në qytetin e Luevenit. Më konkretisht, u arrestuan shtetasit:

 1. Besmir Allushi
 2. Gentian Sylaj
 3. Denis Sylaj
 4. Erald Agajçi
 5. Leonard Velaj
 6. Zamirjan Meti
 7. Elis Rroshkodoli
 8. Gentiana Burgaj
 9. Elis Sylaj
10. Siditian Sylaj
11. Avenir Hasanaj
12. Përparim Isufaj
13. Gledis Agolli
14. Qatip Amal
15. Torosian Edgard

Anëtarët e këtij grupi kriminal dyshohet se kryenin vjedhje jashtë Shqipërisë dhe më pas, sendet e vjedhura, me vlera të konsiderueshme, i shisnin ose i trafikonin në Shqipëri. Po ashtu, dyshohet se shumat e krijuara nga sendet e vjedhura i dërgonin pranë familjeve të tyre nëpërmjet transfertave me agjencitë e specializuara ose në gjendje kesh.

Rezulton se anëtarët e këtij grupi kanë krijuar pasuri të shumta dhe nga ana tjetër nuk rezultojnë të jenë të punësuar. Për këtë arsye, ka dyshime të forta se këta persona dhe bashkëpunëtorë të mundshëm të tyre, janë të përfshirë në një rrjet të gjerë vjedhjesh, paratë e përfituara nga të cilat i kanë transferuar në Shqipëri.
Autoritetet e Belgjikës kanë rreth dy vjet që hetojnë mbi veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal, në kuadër të të cilit dyshohet se këta shtetas kanë kryer veprat penale të vjedhjes, grabitjes me dhunë dhe armëmbajtje pa leje.

 

Data 14.10.2014