Njoftime për Shtyp

Hetimet dypalëshë, Kryeprokurorët e Shqipërisë dhe Kosovës, takim në Prizren

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Shtetit të Kosovës, z. Sylë Hoxha, diskutojnë në Prizren lidhur me çështje me interes të përbashkët


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Shtetit të Kosovës, z. Sylë Hoxha, diskutuan mbi çështje që kanë interes të përbashkët në hetimin e kriminalitetit ndërkufitar dhe atij rajonal e më gjerë.

Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt.17.09.2014) në Prizren, drejtuesit e institucioneve hetimore theksuan rëndësinë e bashkëpunimit, sidomos sa i përket trafiqeve të natyrave të ndryshme dhe çështjeve që lidhen me përfshirjen e qytetarëve të ndryshëm në konflikte ushtarake janë Europës.

Z. Llalla dhe z. Hoxha theksuan vullnetin maksimal për vijimin e hetimeve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që shfrytëzojnë lehtësirat kufitare për të zhvilluar veprimtarinë e tyre të paligjshme.
Ky takim u krye në një kohë kur, ndërmjet Prokurorisë së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Kosovës, është intensifikuar ndjeshëm shkëmbimi i informacionit dhe goditja e strukturave kriminale, në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera partnere ndërkombëtare.

Data 17.09.2014