Njoftime për Shtyp

Hetimet mbi vjedhjen në Bankën e Shqipërisë

Prokuroria paraqet informacione mbi hetimin e deritanishëm për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë. Deri më tani janë arrestuar 10 persona, ndërkohë që po vijojnë hetime të zgjeruara lidhur me mekanizmin e vjedhjes, destinacionin e parave, hetimin pasuror, si edhe verifikimin e përgjegjësive në administrim në këtë institucion


Gjatë dy javëve të fundit, në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për 10 persona, të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë; (1 person për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”); (7 për “shpërdorim detyre”); (1 për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”); dhe (1 për “moskallëzim krimi”).

Aktualisht, veprimet hetimore po vijojnë dhe janë përqëndruar në të paktën katër çështje kryesore:
1. Verifikimin e plotë të mekanizmit të vjedhjes;
2. Destinacionin e shumës së vjedhur;
3. Hetimin pasuror mbi personat e dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje;
4. Verifikimin e përgjegjësive për administrimin/organizimin e punës, si edhe për zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni.

Hetimi mbi këtë ngjarje ka nisur në datën 21.07.2014, kur Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga Banka e Shqipërisë, ka regjistruar procedimin penal Nr.5454 për veprat penale të parashikuar nga neni 135,248 e 300 të K.Penal.
Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, publiku, nëpërmjet medias, është vënë në dijeni zyrtarisht në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre dy javëve lidhur me hetimet e deritanishme të zhvilluara mbi këtë çështje, duke respektuar njëkohësisht informacionin që konsiderohet “sekret hetimor”

Në mënyrë të përmbledhur, organi i Prokurorisë paraqet rezultatet deri në këtë fazë të hetimit:
Nga veprimet procedriale është provuar se: Banka e Shqipërisë aktualisht funksionon në katër ambjente, një ndër të cilët në Linzë, Tiranë. Në këtë të fundit gjendet Departamenti i Emisionit, i cili përfshin disa sektorë, ndërmjet tyre, arka stok, dhoma tranzit dhe arka për veprim.
Arka Stok është një ambjent magazinimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për t’u hedhur në qarkullim, pra kartmonedhë e re, e pa hedhur më parë në qarkullim. Këto para’ vijnë nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat Banka e Shqipërisë ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Në përbërje të arkës stok kanë qenë shtetasit Ardian Bitraj, përgjegjës, si edhe specialistët Lavdim Cani dhe Myzejen Belba.
Arka stok furnizon me fonde arkën për veprim, e cila është në të njëjtin departament me arkën stok. Në përbërje të arkës për veprim janë (kanë qenë) po tre punonjës; përgjegjësi i zyrës, Petrit Ramohitaj dhe dy specialistët të ngarkuar me vlera, Mimoza Bruzia dhe Liliana Kola. Të tre këta formojnë treshen e ngarkuar me vlera, ashtu si tek arka stok. Të dy arkat përfshihen brenda Departamentit të Emisionit.
Arka për veprim, gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj, seleksionon dhe nxjerr nga tregu si të dëmtuara, çdo ditë fonde të sasirave dhe prerjeve të caktuara të lekut.
Nga hetimi është provuar se shtetasi i arrestuar Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të “arkës stok” që gjenden pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash veprime, të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar  qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Personi nën hetim Ardian Bitraj, i cili ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë “arkës stok” dhe asaj “për veprim”, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej arkës stok në kartmonedha të dëmtuara, të cilat sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë duhet të asgjësoheshin.
Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues e në vijim si person nën hetim shtetasi Ardian Bitraj i cili ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje si e ka realizuar vjedhjen.

Nga procesverbali i kqyerjes së vendeve i datës 22.07.2013, konkludohet se rrethanat e shpjeguara nga personi nën hetim Ardian Bitraj, përputhet plotësisht nga konstatimet e bëra në kqyerje. Po kështu me procesverbalin e sekuestrimit të datës 22.07.2014 janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje me veprën penale, si edhe pamjet filmike të Departamentit të Emisionit.

Nga deklarimet e shtetases nën hetim Mimoza Bruzia, me detyrë specialiste e arkës për veprim, pranohet fakti se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj vidhte shumë parash në arkën për veprim, por nuk e kallëzuar këtë fakt.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, që filmonin ambjentet e brendshme të Godinës së Departamentit të Emisionit, ka rezultuar se shtetasi Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht në disa data të dokumentuara në kqyerje, ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok (tranzit).
Ky veprim i këtij shtetasi është në kundërshtim me udhëzimin Nr.741 datë 28.03.2014 “Mbi administrimin dhe përdorimin e celësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë”.
Sipas këtij udhëzimi , konkretisht nenit 5, pika 2 “përdorimi dhe administrimi i çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”, çelësat e dhomës së tranzitimit përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit.
Më tej, në pikën 3, gërma “c” përcaktohet se:  Çelësat e dhomës së tranzitimit, të mbyllur në pliko të veçantë, depozitohen dhe ruhen ne kasafortë në arkën për veprim. Treshja e arkës për veprim, shtetasit Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Tusha(Kola) vendos plikon në kasafortë brenda mjediseve të dhomës kasafortë të arkës “për veprim” dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e menaxhimit të çelësave.
Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të kqyerjes së tyre si dhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash.
Fakti që shtetasi Ardian Bitraj ka hapur i vetëm derën kasafortë të arkës stok, tregon se nga ana e tresheve të ngarkuar me vlera, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, nuk është zbatuar rregullorja përkatëse Nr.741 datë 29.03.2014.
Nga pamjet filmike pasqyrohet fakti se, pas mbylljes së derës kasafortë në arkën stok (tranzit), nga ana e treshës së arkës për veprim të arrestuarve Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Tusha nuk janë marrë në dorëzim çelësat e derës, duke i lënë ato në duart e të arrestuarit Ardian Bitraj, i cili në momente të caktuara shkon i vetëm dhe hap derën kasafortë në arkën stok, duke merr sasi të mëdha parash.
E njëjta shkelje është konstatuar edhe për dy specialistët e arkës stok të arrestuarit Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, të cilët pas mbylljes së derës kasafortë i kanë lënë çelësat e tyre shtetasit Ardian Bitraj, edhe pse udhëzimi përkatës i detyronte ato të depozitonin çelësat në kasafortën e arkës për veprim.
Gjithashtu nga hetimet e zhvilluara është provuar se nga procesverbali i kqyrjes së pamjeve filmike, në departamentin e Emisionit të Bankës së Shqipërisë, të datës 30.07.2014, ka rezultuar se në datë 15 dhe 16 korrik 2014, shtetasi nën hetim Klevis Bejtaj ka shkuar me automjetin e tij tip benz me targë TR xxxx M pranë godinës së departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë dhe është takuar me personin nën Ardian Bitraj. Ky i fundit, para se të nisej tek makina e shtetasit nën hetim Klevis Bejtaj, ka shkuar tek kasaforta ku depozitonte paratë dhe  më pas është drejtuar për në automjetin që drejtohej nga shtetasi nën hetim  Klevis Bejtaj, që nga verifikimet rezulton se është nipi i tij.
Nga deklarimet e shtetasit Klevis Bejtaj pranohet fakti se ka qenë me automjetin e tij afër godinës së departametit të Emisonit në Bankën e Shqipërisë, ka takuar shtetasin Ardian Bitraj.
Gjithashtu shtetasi Klevis Bejtaj pranon faktin se ka qenë në dijeni të vjedhjes së Bankës nga ana e shtetasit Ardian Bitraj rreth një javë para arrestimit të tij, por nuk ka kallëzuar në organet kompetente.
Duke analizuar sa më sipër aktet e administruara, rezulton se shtetasi nën hetim Klevis Bejtaj me veprimet e mosveprimet e tij ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale të “Moskallëzimi i krimit” parashikuar  nga neni 300 i  K.Penal.

Nga procesverbalet e marrjes së provave materiale, në lidhje me dokumetacionin ligjor (aktet ligjore e nënligjore, vendime, urdhëra dhe udhëzime)  që ka funksionuar Departamenti i Emisionit në Bankën e Shqipërisë konkludohet se:
Rezulton e provuar se Departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin “X” Linzë në Janar 2013, në përbërje të të cilit funksionojnë krahas të tjerave, edhe të ngarkuarit me vlera në arkën për veprim dhe në arkën stok. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma tranzit. Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma tranzit, organizimi i punës në këto tre arka  nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore, si udhëzime apo rregullore, por ka vazhduar me rregulloret e vjetra, e konkretisht me vendimin e këshillit mbikqyrës Nr.04 datë 16.01.2012 “Për organizimin dhe funskionimin e Departamentit të Emisionit”, si edhe udhëzimit Nr.1798 datë 06.11.2001 “Mbi përdorimin e celësave të arkave me vlera monetare”..
Sic konstatohen, këto akte nënligjore nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve është mundësuar dhe kryerja e veprimeve kriminale, vjedhjes së shumave të mëdha në Bankën e Shqipërisë.
Urdhëri Nr.1798 datë 06.11.2001 i Bankës së Shqipërisë, mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit deri në datë 28.03.2014 (dalja e udhëzimit Nr. 741), flet për çelësa “dublikatë” dhe jo për çelësa “aktiv”. Sic shihet, ky udhëzim nuk rregullon asnjë procedurë mbi përdorimin dhe administrimin e çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”.
Për sa më sipër, provohet se Departamenti i Emisionit nga data 01.01.2013 deri në datë 28.03.2014, në kohën që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku, ka funksionuar pa udhëzime e rregullore konkrete.
Bazuar në vendimin e Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006 “Për miratimin e rregullores për nxjerrjen e akteve juridike” në nenin 5 të tij parashikon përgjegjësinë e Departamentit të Emisionit për hartimin e projekt rregulloreve dhe projekt udhëzimeve për funksionimin e këtij Departamenti.
Mbi bazën e këtij vendimi, personi nën hetim, i arrestuari , Dorian Çollaku duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të arkave me vlera monetare pranë këtij Departamenti.
Në datë 28.03.2014, nga ana e Këshillit Mbikqyrës, mbi propozimin e Departamentit të Emisionit, është miratuar Rregullorja Nr. 741 “Mbi administrimin dhe  përdorimin e celësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërsië”.
Ky udhëzim, konkretisht nenit 5, pika 2, ndër të tjera përcakton se :“përdorimi dhe administrimi i çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”, çelësat e dhomës së tranzitimit përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit.
Nga kqyerja e arkës për veprim datë 22.07.2014, si dhe dt. 04.08.2014, rezulton se në këtë ambjent nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të arkës trazit dhe stok.
Mosmarrja e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit Nr. 741 datë 28.03.2014 ngarkon me përgjegjësi direkte Drejtorin e Departamentit të Emisionit  , personin nën hetim Dorian Çollaku.
Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të kqyerjes së tyre, si edhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, deklarimeve të shtetasit Petrit Ramohitaj në cilësinë e përgjegjësit të arkës për veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar, dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësoj shuma të mëdha parash.
Sic është provuar nga hetimi, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisonit që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku.
Nga hetimet e zhvilluara deri tani, rezulton e provuar se, si në arkën për veprim, ashtu edhe në mjediset e tjera të përcaktuara në udhëzimin nr.741 dt.28.03.2014, mungonte e gjithë infrastruktura për mirëfunksionimin e këtyre arkave me vlera monetare, gjë e cila ka sjellë edhe pasojën e ardhur vjedhja në të dy arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 700 milion lekëve.

Shtetasi në hetim Dorian Çollaku ka patur për detyrë në bazë të rregullores “Mbi organizmin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit” miratuar me vendimin nr.26 dt.27.03.2014 nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, të miratonte manualet e vendit të punës për cdo punonjës si detyrimin që buron nga neni 25/3 e rregullorës së sipërcituar. Kjo pasi me vendimin nr.26 dt.27.03.2014 është shfuqizuar vendimi i Këshillit Mbikqyrës mnr.4 dt.16.01.2012 “Për miratimin e rregullores “Mbi organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit”, i ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe manualet e vendit të punës së punonjësve të këtij departamenti, manuale të cilat nuk janë hartuar dhe miratuar nga personi nën hetim Dorian Çollaku. 
Nga analiza e fakteve dhe provave të administruara deri në fazë të hetimit është urdhëruar ndalimi dhe më pas është vendosur nga gjykata masa e sigurimit personal “arrest me burg” për këta shtetas:
- Ardian Bitraj, i datëlindjes 1969, me detyrë përgjegjës i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 K.Penal;
- Mimoza Bruzia, e datëlindjes 1972, me detyrë specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë,e dyshuar se ka kryer vepren penale te “Shpërdorimit të  detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit” parashikuar nga neni  248 dhe 300  i  K.Penal,
- Dorian Çollaku, i datëlindjes 1977, me detyrë Drejtor i Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë,  i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Bashkim Xhilaga,  i datëlindjes 1951, me detyrën e kontrollorit mbikqyrës në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Petrit Ramohitaj, i datëlindjes 1954  përgjegjës i arkës për veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Lavdim Cani, i datëlindjes 1967, me detyrë specialist i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Myzejen Belba, e datëlindjes 1967, me detyrë specialiste e arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, e dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Liljana Tusha, i datëlindjes 1968, me detyrë specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë e dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Dhimitër Davidhi, i datëlindjes 1957, vëzhgues operator në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248  i  K.Penal,
- Klevis Bejtaj, i datëlindjes 1987, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300  i  K.Penal.

 Data 08.08.2014