Njoftime për Shtyp

Hetimet për arratisjen në burgun e Drenovës


Qëndrimi zyrtar dhe roli i organit të Prokurorisë për ngjarjen e arratisjes së 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës, Korçë
 


Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, ka zhvilluar hetime të plota dhe të shpejta për zbulimin e 7 personave të arratisur nga burgu i Drenovës, në Korçë mbrëmjen e së shtunës (23.11.2013).
 
Pas komunikimit intensiv ndërmjet titullarëve të institucioneve, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka urdhëruar Drejtorin e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme për të ndjekur nga pranë të gjithë procesin hetimor të zhvilluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë për rikthimin në burg të 7 të dënuarve.
 
Operacioni për zbulimin e vendndodhjes së të arratisurve ka nisur vetëm pak minuta pasi është mësuar se ata janë larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, është arritur të lokalizohen në një kohë shumë të shpejtë disa prej të arratisurve.
 
Po ashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe në bazë të informacioneve të mbërritura nga Shërbimi Informativ Shtetëror, është bërë e mundur të evidentohen dhe lokalizohen disa bashkëpunëtorë të jashtëm të personave të dënuar, të cilët arritën të thyenin sigurinë e burgut të Drenovës. Gjithashtu, u arrit të përcaktohet përgjegjësia e punonjësve të policisë së institucionit të vuajtjes së dënimit.
 
Evidentimi i bashkëpunëtorëve ndihmoi në shpejtimin e veprimeve hetimore, si edhe në përcaktimin e rolit dhe përgjegjësive të personave të përfshirë në këtë ngjarje.
 
Në bazë të veprimeve hetimore, në një kohë shumë të shkurtër u arrit të lokalizoheshin disa prej të dënuarve të arratisur, gjë e cila u shoqërua me arrestimin nga ana e Policisë së Shtetit e personit të parë mbrëmjen e djeshme dhe më pas me arrestimin e 3 të dënuarve të tjerë gjatë ditës së dielë.
 
Ndërkohë, Prokuroria e Korçës ka urdhëruar arrestimin e 21 punonjësve të policisë së burgut të Drenovës, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme e Policinë e Shtetit Hetimet po vijojnë në mënyrë intensive hetimet për gjetjen e 3 personave të tjerë të arratisur, si edhe për të faktuar plotësisht mekanizmin e arratisjes.

Tiranë më 24.11.2013