Njoftime për Shtyp

INTERVISTA VOA/Korrupsioni në Drejtësi, Llalla: Duhet vullnet

Intervistë me Prokurorin e Përgjithshëm. Vlerësimet për paketën antikorrupsion të qeverisë, hetimet për ndërtimet pa leje, për privatizmin e Albpetrolit, cështjen Gërdeci dhe Lazaratin.

  Në Shqipëri Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla thotë se lufta ndaj korrupsionit në sistemin e Drejtësisë  është e mundshme por se kjo kërkon vullnet nga të gjitha institucinet dhe faktorët politik e social. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, një vit pas marrjes së kësaj detyre, zoti Llalla, flet për cështjet e ditës, që nga vlerësimet për paketën antikorrupsion të qeverisë, te hetimet për ndërtimet pa leje, për privatizmin e Albpetrolit, çështjen Gërdeci dhe Lazaratin.

Zoti Llalla, faleminderit për këtë intervistë e cila koincidon dhe me një vit që nga koha kur ju keni marrë detyrën si Prokuror i Përgjithshëm. Me lejoni ta nis me një cështje e cila është e ditës. Sot Transparency International prezantoi raportin e ri vjetor për korrupsionin, ku pozicioni i Shqipërisë është përkeqësuar. Sa e ndjen vetën përgjegjëse prokuroria në këtë situatë korrupsioni kaq të përhapur, të paktën sic është perceptimi i publikut?

"Faleminderit për ftesën në emisionin tuaj, dhe për urimin me rastin e 1 vjetorit tim në detyrën e Prokurorit te Pergjithshëm. Problemi i korrupsionit është një ndër cështjet kyc për integrimin e Shqipërisë në BE dhe është një ndër kriteret kryesore që partnerët tanë kanë vendosur për integrimin e vendit në këtë strukturë. Lufta ndaj korrupsionit ka qenë një ndër prioritetet e punës time me marrjen e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prioritet të cilin jam përpjekur ta realizoj duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, duke vënë në punë të gjithë sistemin e prokurorisë për të luftuar këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare".

Zoti Llalla, duke mbetur te korrupsioni. Pak ditë më parë emisioni Fiks Fare, pas një hetimi të tij, nxori në pah një zinxhir korrupsioni, pagesash për gjyqtarë, prokurorë e avokatë. Ju reaguat për pjesën që ju takon, lidhur me prokurorët e përfshirë. Por kam përshtypjen se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Duket se sistemi i Drejtësisë, sic është dhe perceptimi i publikut, ka një korrupsion mjaft të gjerë. Si mund të dilet nga kjo situatë?

"Perceptimi i publikut lidhet me rastet me të cilat qytetarët ndeshen nëpër dyert e sistemit të Drejtësisë. Kjo situatë mendoj se është e kapërcyeshme, por duhet një bashkërendim i punës mes gjithë institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Tek ne ekzistojnë të gjithë mekanizmat e duhur ligjor që ky fenomen të ndëshkohet. Por duhet vullneti i të gjithë faktorëve politik, social, medias e qytetarëve që të vëmë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë zyrtarët që abuzojnë me funksionet e tyre".

Ka një nismë të qeverisë, një paketë antikorrupsion, e cila parashikon që korrupsionin ta konsiderojë si krim të rëndë e për pasojë të gjykohet nga gjykata e krimeve të rënda. Misioni i ekspertëve amerikanë të Opdatit ka patur vërejtje të shumta për këtë zgjidhje. Ju vetë sa efektive e konsideroni këtë ndërhyrje?

"Lidhur me këtë nismë të qeverisë, ne kemi paraqitur sugjerimet tona të cilat i kemi vënë në dispozicion si të qeverisë ashtu dhe të komisionit të ligjeve të cilat besoj se do të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit në komisionin e ligjeve. Në vlerësimin tim personal, gjykoj se duhet parë kjo paketë, pasi ka nevojë për disa rregullime të nevojshme. Pra jo cdo rast i parashikuar në paketën e qeverisë mund të hetohet dhe gjykohet nga prokuroria dhe gjykata e krimeve të rënda".

Zoti Llalla, që prej 23 qershorit, apo më mirë që prej qershorit, në Shqipëri ka një shumicë të re. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë shumicë? Kujtoj se zoti Rama, para se të formohej qeveria, pati një takim me ju dhe e cilësoi Prokurorinë si “dëshmitare anemike në betejën kundër korrupsionit”, deri më atë kohë...

"Duhet të theksoj faktin se prokuoria është një institucion i pavarur kushtetues. Detyra ime si Prokuror i përgjithshëm ashtu si dhe cdo prokurori është përcaktuar në ligj, ashtu si dhe garancia në detyrë e gjithsecilit prej nesh. Unë kam patur marrëhdënie korrekte si me mazhorancën e kaluar ashtu dhe me atë aktuale. Dua të theksoj faktin se në detyrën e Prokurorit të përgjithshëm jam zgjedhur me një lloj konsensusi të gjerë politik, detyrë të cilën besoj se do të jetë e tillë edhe në të ardhmen".

Prokuroria e Përgjithshme ju bashkangjit nismës së qeverisë për goditjen e ndërtimeve pa leje. Madje në fakt ju kishit nisur hetime ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës që në shkurt për ndërtime pa leje në këtë qytet. Megjithatë ka debate dhe për një tjetër ndërtim në breg të detut, dhe ish drejtuesi i Inspektoriatit të ndërtimit ka deklaruar se për këtë ka patur një dosje  që në 2011 në prokurori. Cili ka qenë fati i kësaj dosje?

"Lidhur me rastin konkret cështja është në proces hetimi në prokuorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, ndërsa në rastin e kryetarit të Bashkisë Vlorë dosja momentalisht është në proces gjykimi në gjykatën e Lartë për të përcaktuar se cila gjykatë do të shqyrtojë rastin në fjalë".

Duke mbetur sërish te Pallatet. Ka patur para zgjedhjeve një debat lidhur me një ndërtim të familjarëve të bashkëshortes së zotit Rama. U tha se prokuroria regjistroi një procedim penal...

"Me aq sa une mund të kujtoj tani, mendoj se është vendosur mosfillimi i procedimit penal".

Zoti Llalla, pati një proces të gjatë privatizimi për Albpetrolin, i cili në të vërtetë dështoi dhe shteti sot e kësaj dite nuk ka marrë 85 milion euro, sic përcaktonin rregullat e kontratës. Edhe për këtë rast me sa di, Prokuroria ka nisur hetimet. A ka ndonjë zhvillim se cilët janë personat përgjegjës për këtë situatë?

"Në mjaft raste i kërkohet organit të prokuorisë për cdo debat apo problem mes palëve në Shqipëri. Por institucioni i prokurorisë nuk ka në të gjithë rastet ekspertët e specialistët e duhur për të hetuar cështje të kësaj natyre. Prokuoria ka nisur hetimet për rastin e Albpetrolit. Janë caktuar ekspertët që po merren me shqyrtimin e dokumentacionit për mënyrën se si është realizuar privatizimi i kësaj pasurie dhe pritet konkluzioni i tyre".

Zoti Llalla, procesi ndaj shpërthimit në Gërdec është një tjetër rast që u pa si një dështim i Drejtësisë. Gjykata e Lartë nuk pranoi as ta trajtonte rekursin e Prokurorisë. Cilat ishin arsyet e këtij vendimi dhe a ka hapësira që kjo cështe të rihapet?

"Ai është një vendim i Gjykatës së Lartë, për të cilin ne nuk mundemi dot të gjykojmë vendimet e kësaj gjykate. Ne kemi në proces shqyrtimi në prokurorinë e përgjithshme një ankesë të familjarëve të Gërdecit dhe avokatëve të tyre. Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme të ngarkuar me shqyrtimin e rastit janë duke studiuar të gjithë materialet me synim daljen e një vendimi përfundimtar brenda pak ditëve".

Zoti Prokuror, kur ju ishit në krye të Inspektoriatit të verifikimit të pasurive, ankoheshit se prokuroria nuk merrte parasysh denoncimet tuaja. Cfarë keni bërë tani që ju vetë jeni Prokuror i Përgjithshëm?

"Është fakt se gjatë kohës që unë drejtoja Inspektoriatin e Lartë të Dekalrimit dhe Kontrollit dhe të Pasurive, institucioni ynë pati bërë me dhjetra kallzime në Prokurori të cilat patën të njejtin fat, të pushoheshin apo mos filloheshin, që në vlerësimin tonë vendimi ishte marrë jo në mënyrë të drejtë e të bazuar ligjërisht. U bë një vit që jam në drejtim të këtij institucioni. Momentalisht nuk kemi asnjë kallzim dhe për momembtin nuk kam c’të shtoj më tepër".

Zoti Prokuror, përveç korrupsionit, një tjetër problem që ngrihet për Shqipërinë është krimi i organizuar. Cfarë shtrirje ka ai, sa ka penetruar në ekonomi apo dhe politikë? Si është i strukturuar dhe sa i fuqishëm është ai financiarisht?

"Elementë të krimit të organizuar në Shqipëri, ka dyshime të bazuara se ekzistojnë. Unë sapo u ktheva nga një vitë e suksesshme në disa vende të BE-së, përfshirë edhe Brukselin, ku disktuam ndër të tjera edhe lidhur me këtë problem. Ne pos ynojmë që të gjitha raste e kësaj natyre të hetohen në mënyrë të plotë e të gjithanshme. Normalisht heytimet nuk janë të lehta. Elemetë të krimit të organizuar punojnë me mënyra dhe forma që kanë aftësi për të mbuluar aktivitetin e tyre. Megjithatë, ashtu sic ishte dhe vlerësimi i ekspertëve ndërkombëtar, në Shqipëri nuk ka elementë të mirëfilltë të një krimi vertët të organizuar sic ndodh në vendet e tjera. Ka krim që merret me trafikime të ndryshme, por jo struktura vërtetë të organizuara kriminale".

Të gjithë e dinim që Lazarati ishte një qendër e prodhimit të hashashit, por rezultate e vrojtimeve të policisë italiane nxorrën në pah  dicka të përmasava mjaft të mëdha. A ka hetime të prokurorisë mbi Lazaratin dhe ata që kanë ngritur dhe kontrollojnë gjithë atë industri disa miliarda euroshe?

" Normalisht që prokuroria ka nisur hetimet dhe për rastin në fjalë. Këto hetime vijojnë dhe unë nuk mund të jap detaje të mëtejshme".

Intervistoi Armand Mero


03.12.2013