Njoftime për Shtyp

Informacion mbi procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi

Lënda:  Mbi shkresën nr.585 prot., datë 13.02.2017 të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike të Drejtat e Njeriut.


Drejtuar:  SH.T.Z Bujar NISHANI
PRESIDENT I REPUBLIKËS

Z. Ilir META
KRYETAR I KUVENDIT

Për dijeni:  Z.Fatmir XHAFAJ
Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike
të Drejtat e Njeriut

Të nderuar Zotërinj,

Me shkresën nr.585 prot., datë 13.02.2017 Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike të Drejtat e Njeriut dhe ish-Kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, ka përcjellë pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm një Memo, ku prezanton vlërësimet e tij për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Megjithëse vlerësojmë se diskutimi mbi procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përbën një çështje të sqaruar për institucionet dhe opinionin publik, duam të sjellim në vëmendjen tuaj disa momente të rëndësishme që organi i prokurorisë ka patur në konsideratë gjatë këtij procesi.
Me hyrjen në fuqi të Ligji nr.76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” (në datë 11 Gusht 2016) Presidenti i Republikës filloi procedurat për përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Me shkresën nr.1543/2 Prot., datë 27.7.2016 Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, i është drejtuar Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm duke kërkuar informacion mbi listën e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorive të apeleve ndaj të cilëve nuk ishte dhënë masë disiplinore. Me shkresën nr.2389/1 Prot., datë 05.08.2016 Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Zyrës së Presidentit të Republikës listën emërore të prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorive të apeleve, ku evidentohen vetem dy emra prokurorësh që nuk ishin përfshirë në listë për shkak se ndaj tyre ishte marrë më parë masë disiplinore (bashkëlidhur shkresat).
Siç është bërë edhe publike ky proces u ndërpre nga ana e Presidentit të Republikës për shkak se nuk ishte miratuar ende ligji i posaçëm ku do të parashikoheshin kriteret ligjore që duhet të plotësonin kandidatët.
Referuar edhe qëndrimit të publik nga Presidenti i Republikës në njoftimin e datës 16 gusht 2016, pas zhvillimit të një sërë tryezash konsultimi me faktorin politik, organizmat ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, ku është shprehur se  “Presidenti i Republikës vlerëson se ndodhemi në rastin e rezervës ligjore absolute, ku norma kushtetuese ia rezervon vetëm ligjit rregullimin e kritereve të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve, të cilët do t’i nënshtrohen shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, është pranuar nga të gjithë që procesi nuk mund të zhvillohej pa miratimin në ligj të kritereve që duhet të përmbushin kandidatët.
Përcaktimi i parimeve dhe rregullave në lidhje me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është objekt i ligjit nr.115/2016 “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë” i cili është botuar në fletoren zyrtare nr.231, datë 01.12.2016 dhe ka hyrë në fuqi në tërësi më datë 16 dhjetor 2016.

Ligjvënësi ka parashikuar një procedurë të posaçme lidhur me krijimin e këtij organi në dispozën kalimtare të parashikuar nga neni 284, paragrafi 1 i ligjit 115/2016 ku parashikohet shprehimisht se: “Prokurori i Përgjithshëm harton një listë me emrat e të gjithë prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive në nivel apeli, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe ia dërgon atë menjëherë Presidentit të Republikës”.
Pra, vetë dispozita kalimtare referon posaçërisht në domosdoshmërinë e respektimit të kritereve të parashikuara në ligjin nr.115/2016 “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”.

Në këtë ligj, kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes, parashikohen në nenin 221 të tij.

Në nenin  221  parashikohet shprehimisht se:
 “1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit;
b) nuk ka një masë disiplinore në fuqi;
c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;
ç) magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi;
d) magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional..”

Në zbatim të kësaj dispozite ligjore janë verifikuar rast pas rasti të gjithë kandidaturat që plotësonin kushtet ligjore për të qënë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroritë e Apeleve. Gjithë informacioni i disponuar lishur me kandidatët i është vënë në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë.

Bazuar në sa më sipër, Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar rigorozisht kuadrin kushtetues e ligjor në zhvillimin e një procesi të drejtë dhe transparent.

Megjithatë çdo interpretim dhe vlerësim mbi kushtetueshmërinë e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve të KED nga Prokurori i Përgjithshëm mund të jetë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese.

Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin,