Njoftime për Shtyp

Krijohet Njësia antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit dhe Pasurive do të hetojë rastet e korrupsionit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë, përfshirë të të zgjedhurve vendor. Kjo strukturë krijohet pas ndryshimeve ligjore, të cilat morën fuqi ligjore në Shtator 2014.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka urdhëruar ngritjen e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit dhe Pasurive pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Kjo njësi krijohet pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale me ligjin nr. 99/2014, i cili ka hyrë në fuqi në fillimin të muajit Shtator 2014. Në bazë të këtyre ndryshimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka kompetencë hetimore për rastet e korrupsionit tek zyrtarët e nivelit të lartë; gjyqtarë, prokurë dhe funksionarë të tjerë të lartë, përjashtuar zyrtarët për të cilët zhvillon hetime Prokuroria e Përgjithshme.
Ky Njësi do të përqëndrohet në dy detyra kryesore.

Së pari, hetimin e veprave penale, të parashikuara në nenet:
-Neni 245 i Kodit Penal (“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të të zgjedhurve vendorë”) ;
- Neni 260 i Kodit Penal (“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të të zgjedhurve vendorë”);
- Neni 319 i Kodit Penal (“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”)
- Neni 319/ç i Kodit Penal (Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”);

Së dyti, kjo Njësi do të ketë në fokus hetimin pasuror. Struktura e re do të hartojë praktikat e unifikuara, si edhe do të koordinojë veprimtarinë e Prokurorisë për Krime të Rënda sa i përket hetimit pasuror. Ky lloj hetimi është një prioritet kryesor, me synim goditjen e grupeve dhe strukturave kriminale në aspektin ekonomik.

Në krye të Seksionit të Hetimit të Korrupsionit dhe Pasurive në Prokurorinë për Krime të Rënda është komanduar prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, z. Arben Kraja dhe në përbërje të saj janë caktuar dy prokurorë dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore.

 

Data 16.09.2014