Njoftime për Shtyp

Krimi mjedisor, hetim për abuzuesit dhe strukturat përgjegjëse


Prokuroria e Përgjithshme e vlerëson pozitiv organizimin nga PAMECA të takimit të nivelit të lartë për të diskutuar mbi çështjet mjedisore dhe sidomos mbrojtjen e tij në zbatim të Kodit Penal.

Prokuroria Shqiptare, gjatë vitit 2013, ka ndjekur penalisht dhe ka dërguar para gjykatës më shumë shtetas që kanë kryer vepra penale në fushën e mjedisit krahasuar me një vit më parë. Këto shifra janë prezantuar nga Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Adnan Xholi, i cili përcolli mesazhin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla në Konferencën Ndërkombëtare për Krimin Mjedisor, organizuar ditën e Martë (dt. 18.03.2014) nga projekti PAMECA i Bashkimit Europian.
Në mesazhin e tij drejtuar Konferencës, z. Llalla shprehet se: “Prokuroria e Përgjithshme e vlerëson pozitiv organizimin e takimit të nivelit të lartë për të diskutuar mbi çështjet mjedisore dhe sidomos mbrojtjen e tij në zbatim të Kodit Penal.
Kuadri ligjor shqiptar e ka të përcaktuar posaçërisht ruajtjen e mjedisit nga abuzimi, duke e cilësuar si një pasuri të rëndësishme kombëtare. Prokuroria shqiptare nga viti në vit ka forcuar ndjeshëm rolin e saj në ndëshkimin e personave që abuzojnë me këtë trashëgimi të përbashkët.
Gjatë vitit 2013, në bazë të statistikave që sapo janë përpunuar, rezulton se ka një rritje të ndjeshme të personave të hetuar për veprat penale kundër mjedisit. Po ashtu, është konstatuar rritje edhe në rastet e dërgimit për gjykim të personave të akuzuar për këtë grup veprash penale, ku mbizotërojnë prerja e pyjeve dhe ndotja e ambjentit.
Veprat penale kundër mjedisitkanë përhapje në zona të ndryshme të Shqipërisë. Kjo shtrirje, por sidomos dëmi i madh ekonomik dhe shëndetësor që sjell kjo vepër penale, ka nxitur organin e prokurorisë t’i kushtojë rëndësi të veçantë trajtimit të rasteve të referuara për këto shkelje ligjore. Në këtë kuadër, Prokuroria e Përgjithshme është pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror për të ndjekur me përparësi, veprat penale që cënojnë mjedisin dhe burimet natyrore.
Krahas abuzuesve me pasuritë natyrore, prokurorive të rretheve gjyqësore u është dhënë porosi e veçantë që të nisin hetime kryesisht edhe për zyrtarët përgjegjës, të cilët nuk raportojnë dëmtimin në mjedis. Veprat penale kundër ambjentit nuk janë të reja për autoritetet shqiptare. Janë të shtrira në kohë, për vite me radhë dhe efikasiteti i strukturave lokale nuk ka qenë në nivelin e pritshmërisë. Për këtë arsye, me qëllim frenimin e dëmeve të mëtejshme, prokuroria ka rritur kontributin e saj në hetimin e personave përgjegjës, zyrtarë apo privatë.
Mbrojtja e ambjentit është një sfidë, e cila kërkon një bashkëpunim efikas ndërmjet të gjitha strukturave shtetërore. Takimi i sotëm është dëshmi konkrete se ekziston vullneti i përbashkët për të shtuar efikasitetin e luftës në mbrojtje të mjedisit. Dhe, duke u rikthyer tek tema qendrore e takimit të sotëm, ju shprehim garanci të plota se organi i Prokurorisë do të japë kontributin e tij maksimal për të forcuar kuadrin ligjor në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe për ta përafruar atë me standartet e Bashkimit Europian”.

Tiranë më 18.03.2014